Forumi Ekonomik i Vjenës në Tiranë

“Ballkani dikur identifikohej si fuçia e barutit të Evropës, ndërsa sot popujt e Ballkanit i bashkon ëndrra për t’u integruar në Bashkimin Europian” tha Kryeministri Edi Rama në fjalën e çeljes së forumit.

Forumi Ekonomik i Vjenës në Tiranë

Sipas Kreut të Qeverisë Shqiptare, ky Forum është një mundësi mjaft e mirë për të shfrytëzuar dhe për t’i vënë në të mirë të rajonit të Ballkanit eksperiencat dhe kontributin e gjithësecilit. “Sot është kryeministri Vuçiç, i cili erdhi për ndeshjen e kthimit në vizitën dypalëshe, por edhe për të qenë nesër i pranishëm në eventin tonë. Vjet për herë të parë në fundin e gushtit ne të gjithë së bashku si kryeministra të një territori, që është identifikuar në sytë e të gjithëve si territor lufte, fuçia e barutit të Evropës, u takuam jo për të kontestuar kufijtë, por për të folur për të ardhmen. Fale vizionit dhe ftesës së Kancelares Merkel ne çelëm një kapitull të ri”, tha Rama.

Sipas tij, “ishte historike, e jashtëzakonshme, e paparë, që kryeministrat e këtij rajoni të ishin së bashku në një fotografi familjare, por nuk do jetë më pas historike as e paparë. Të mblidhemi dhe të konstatojmë çfarë progresi është bërë në një vit dhe me çfarë ritmi ka ecur ky proces dhe ku mund të shkojmë nëse ky është ritmi që ne mund të mbajmë”, vijoi kryeministri Rama.

Ai gjithashtu tha se “kur të takohemi për herën e tretë nuk do ketë asnjë vëmendje të veçantë. Ky është progres i madh, por jo i mjaftueshëm”. Ne, shtoi Rama, po drejtojmë popujt tanë në një fazë të historisë, kur popujt tanë janë identifikuar me Europën me ëndrrën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Nëse në rajonin tonë ku 100 vjet para takimit në Kancelerinë gjermane me Merkel filloi lufta e parë botërore dhe vitet shkuan vetëm përmes luftrave, sot kryeministri i Serbisë është i pari vizitor i këtij rangu që shkel Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Forumi Ekonomik ka bashkuar në një tryezë kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës edhe Malit të Zi. Forumi Ekonomik i Vjenës është themeluar në vitin 2004 si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministrat e 7 vendeve, Shqipërisë, Moldavisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, e Maqedonisë e Kroacisë. Projekte me karakter zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të Ballkanit do të diskutohen në Forumin Ekonomik të Vjenës në Tiranë. Anëtare të këtij forumi janë Shqipëria, Austria, Bosnia dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia, Turqia dhe Ukraina.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme