Turqia, partneri kryesor i Shqipërisë për metalet

Tregtia shqiptare vijon të orientohet ndaj tregjeve evropiane, ndërsa partnerët kryesorë mbeten Italia, Greqia dhe Turqia.

Turqia, partneri kryesor i Shqipërisë për metalet

Tregtia shqiptare vijon të orientohet ndaj tregjeve të Evropës, ku shkëmbimet tregtare në muajin shkurt zunë 64,1 % të totalit të tregtisë, ndërsa vërehet se Kina vijon të zgjerojë tregun e prodhimeve të saj, krahas partnerëve kryesorë tregtarë që janë Italia dhe Greqia.

Përveç Italisë dhe Greqisë, vërehet se tregjet shqiptare mbeten të qëndrueshme në eksportet e disa grupe mallrash. Kështu Kosova mbetet kryesore për energjinë elektrike, e cila me një marrëveshje dypalëshe, këmbehet në periudha kohore me energjinë termike të prodhuar nga termocentralet me qymyr të Kosovës.

Turqia mbetet partneri kryesor për metalet, ku ndikon kompania turke “Kurum”, e cila ka me konçension industrinë e metalurgjisë në Shqipëri. Po ashtu, Spanja kryeson në eksportin e naftës, pasi kompania kanadeze “Bankers Petroleum” ka atje blerësin kryesor të naftës shqiptare të fushave të Marinzës.

Ndërsa Italia zë vendin e parë me 39,1 % ndaj totalit të shkëmbimeve tregtare, Kina zë 7,6 %, Greqia 6,3 % dhe Gjermania 5,6 %. Italia mbetet partneri kryesor tregtar me të cilin kryhen këmbimet më të mëdha tregtare. Me këtë vend eksportet i kalojnë importet pasi sipas INSTAT, eksportet e mallrave arritën në muajin shkurt 76,3% ndaj totalit, ndërsa ato të importuara nga tregjet italiane zunë 52,4%.

Eksportet e prodhimeve “Made in Albania” drejt tregut italian në muajin shkurt kapën vlerën e 19.670 milionë lekë, duke zënë dhe vendin kryesor, por peshën më të madhe e dha grupi i produkteve “Tekstile dhe këpucë” me prodhime që kapën vlerën 12.168 milionë lekë. Në këtë grup mallrash rezervohet numri më i madh i SME-ve shqiptare të sektorit fason, të cilat në shumicë, punojnë me tregun përtej Adriatikut.

Ndërsa me fqinjin jugor, Greqinë, eksportet shqiptare janë zvogëluar në raport me importet, që rezultojnë në trefishin e tyre, duke dëshmuar lidhjen e tregtarëve shqiptarë në prodhimet ushqimore.

Mungesa e plotësimit të kërkesës së tregut të brendshëm me produkte bujqësore vijon të shfaqet tek importet, të cilat në muajin shkurt shënuan vlerë më të madhe me prodhimet ushqimore që kryesuan importet. Ndërsa në shkurt 2014 vlera e importeve të prodhimeve ushqimore arriti në 11.774 milionë lekë, pas një viti, pra në shkurt 2015 u importuan sasi edhe më të mëdha, cilat kapën vlerën 13.416 milionë lekë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme