Cipras shprehet i bindur për arritjen në marrëveshje me BE-në

”Greqia nuk do të pranojë një rikthim të masave shtrënguese”, theksoi Kryeministri Aleksis Cipras

Cipras shprehet i bindur për arritjen në marrëveshje me BE-në

Kryeministri grek, Aleksis Cipras u shpreh sot i bindur se një zgjidhje për financimin shumë afatshkurtër të Greqisë, përballur me nevoja të domosdoshme, do të gjendet me evropianët deri në fund të javës, edhe pse disa partnerë të vendit do të preferonin një përballje.

”Greqia nuk do të pranojë një rikthim të masave shtrënguese”, theksoi Kryeministri Aleksis Cipras, i cili shtoi se ishte i bindur se do të arrinte një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe FMN-në.

“Çelësi i një kompromisi të ndershëm është të pranosh se politika shtrënguese ekstreme ka dështuar, jo vetëm në Greqi, por gjithashtu në të gjithë Evropën”, theksoi kryeministri në një intervistë për mediat greke.

“Kushdo qofshin pengesat që ne do të hasim, ne nuk do t’i rikthehemi politikës shtrënguese”, konfirmoi ai.

Pyetur nga e gazetarët mbi rrezikun e asfiksisë financiare të vendit, Cipras theksoi se çështja do të zgjidhet në nivel politik deri në fund të javës, kur do të mbahet edhe samiti evropian i presidentëve dhe kryeministrave të Bashkimit Evropian dhe nëse do të jetë nevoja do të diskutohet edhe gjatë këtij samiti, të enjten dhe të premten në Bruksel.

Greqia do të dëshironte të përfitonte nga një tolerancë edhe më e madhe e Bankës Qendrore Evropiane për të përfituar likuiditete. Vendi shpreson gjithashtu për një zhbllokim të shpejtë, të paktën të pjesshëm të këstit të fundit të kredisë (7,2 miliardë euro) parashikuar në kuadër të zgjatjes së ndihmës financiare të vendosur më 20 shkurt nga zona euro dhe FMN.

Greqia duhet t’i rimbursojë sot 560 milionë euro FMN-së pas dy kësteve të para prej 634 milionë eurosh akorduar institucionit që prej fillimit të muajit mars nga Uashingtoni.

“Nuk e fsheh që ekzistojnë forca që do të preferonin përballje për të mundësuar vazhdimin e masave shtrënguese dhe për këtë arsye bllokojnë aplikimin e marrëveshjes së 20 shkurtit”, theksoi kryeminsitri grek, ndërkohë që mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Berlinit janë rritur këto kohët e fundit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme