Mustafa: Trepça do të menaxhohet nga Qeveria e Kosovës

Trepça fillimisht të shpallet kompani publike dhe pastaj, të nxirret një ligj i veçantë mbi Trepçën, ligj i cili në fund do të rregullojë se si do të menaxhohet në mënyrë korporative kjo kompani, ka thënë kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa.

187570
Mustafa: Trepça do të menaxhohet nga Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në konferencë për media të organizuar në Prishtinë për të prezantuar kabinetin e tij, ka folur edhe për çështjet aktuale në vend dhe prioritet e Qeverisë, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, që kanë të bëjnë me reformat cilësore në arsim dhe shëndetësi, me ç’rast në Kuvend planifikohet të aprovohen rreth 100 ligje.

Po ashtu, si prioritet të Qeverisë së Kosovës në vitin 2015, kryeministri Mustafa deklaroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe Liberalizimin e Vizave, si dhe aktivitetet për integrime evropiane, për të cilën gjë duhet të përgatiten dhe aprovohen 43 dokumente strategjike në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa prezantoi kabinetin e tij, kryeministri Mustafa tha se, për shefe të stafit do ta ketë Vlora Dumoshin, ish-drejtoreshën e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, në kohën kur Mustafa ishte kryetar i Prishtinës.

Profesor Valon Murtezaj do të ketë rolin e zëvendësit të shefit të stafit dhe këshilltarit për politikë të jashtme. Sokol Havolli do të jetë shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi. Edon Myftari, po ashtu do të jetë një nga këshilltarët në kabinet.

Avokati Besnik Berisha do të jetë këshilltar për çështje të drejtësisë, Burbuqe Thaçi do të kryej detyrën e shefes së protokollit dhe shef i zyrës për informim të kryeministrisë do të jetë Drilon Zogaj. Në fund, Mustafa bëri të ditur se, Valon Halimi do të punojë si këshilltar i jashtëm dhe do të jetë ndërlidhje e zyrës së kryeministrit me Brukselin.

Gjatë konferencës, kryeministri Isa Mustafa foli për prioritetet dhe punët të cilat e presin Qeverinë e Kosovës gjatë ditëve të ardhshme, duke filluar nga e hëna kur, në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të paraqitet ligji për Trepçën dhe vendimi për kalimin e menaxhimit të kësaj kompanie nga Agjencia Kosovare e Privatizimit .

“Me këtë ligj, ne do të bëjmë përpjekje që Trepça ose pjesa më e madhe e Trepçës, të shpallet kompani publike në mënyrë që ajo të drejtohet, përkatësisht menaxhohet më vonë , nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të dal jashtë autoritetit të AKP. Ju e dini se me vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme thuhet se nëse nuk përfundon programi i organizimit dhe ristrukturimit të Trepçës, deri më 2 shkurt, atëherë Trepça i nënshtrohet procedurës së falimentimit. Kjo nënkupton që gjithë punëtorët të mbeten pa punë, mbi 5000 punëtorë” tha kryeministri Mustafa duke shtuar se ky kurrsesi nuk është opsion dhe një gjë e tillë nuk do të ndodh.

Sipas Mustafës, Qeveria e Kosovës ka nevojë të zhvilloj ekonominë, të punësojë njerëz e jo të largoj njerëzit nga puna prandaj, duke i rregulluar edhe problemet tjera pronësore, ai deklaroi se Qeveria, në mënyrën më të përgjegjshme do t’i marr vendimet që fillimisht Trepça të shpallet kompani publike dhe pastaj, të nxirret një ligj i veçantë mbi Trepçën i cili në fund, do të rregullojë se si do të menaxhohet në mënyrë korporative kjo kompani.

“Ne me prioritet do të punojmë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm, për nxitjen e zhvillimit ekonomik sidomos përkrahjen e sektorit privat për tërheqjen e investimeve të huaja me qëllim të krijimit të kushteve për punësim më të madh dhe për stabilitet buxhetor, sepse me këtë buxhet që e kemi tani, ne nuk llogarisim se mund të përballojmë gjitha kërkesat e konsumit buxhetor që shtrohen para nesh mund të mbyllim” tha Mustafa duke folur për zhvillimin ekonomik Mustafa dhe shtoi se strategjia e tij për stabilitetin buxhetor do të mbështetet në kursimet të cilat do t’i vazhdojë Qeveria në fushën e buxhetit , si dhe nga ana tjetër do të mbështetet edhe në mbylljen e gjitha portave të evazionit fiskal, i cili ka rrënjët në sektorin informal të ekonomisë dhe në marrëdhëniet ekonomike e tregtare me vendet fqinje, sidomos me vendet në regjion. Po ashtu, ai tha se qeveria e tij do ta nxis sektorin e bujqësisë përmes mbështetjes buxhetore dhe subvencioneve.

Sa i përket rritjes së pagave, çështje kjo që është mjaft aktuale, ai u deklarua se këto politika do të bashkërenditen me sektorin privat. “Qeveria nuk mund të zhvillojë politika të zhvillimit të pagave vetëm për një pjesë të sektorit publik, pasi që ato ndërlidhen me fuqinë e sektorit privat dhe se taksat e tatimet mblidhen nga ky sektor, prandaj duke forcuar sektorin privat do ta forcojmë edhe buxhetin i cili do të përballoj edhe kërkesat për rritjen e pagave” tha Mustafa

Me kapacitetin aktual buxhetor, Mustafa tha se qeveria mund të aplikojë vetë një pjesë të marrëveshjes kolektive e cila ka të bëjë kryesisht me përvojën e punës por është e pamundur të përballohen kërkesat tjera sepse duhet që rritjen e pagave duhet ta zhvillojmë në harmoni me rritjen ekonomike dhe forcimin buxhetor në periudhën e ardhshme kohore.

Përmes luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe me ndryshimin e sistemit të Prokurimit Publik, duke filluar me zbatimin e sistemit elektronik të prokurimit që do ta bëjë atë më transparent dhe të kontrollueshëm, Qeveria Mustafa synon të krijoj klimë të përshtatshme për investime të huaja direkte.

Po ashtu, ai tha se, do të ndryshojë edhe procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronave, pasi sipas tij, aktualisht kemi procedura shumë të komplikuara dhe kjo i bënë bizneset e huaja që të largohen.

Lidhur me deklaratën fyese të ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, kryeministri Mustafa deklaroi se kabineti i tij e konsideron atë si të pamatur. “Ne e kemi konsideruar si të pamatur deklaratën e ministrit Jabllanoviç për protestat në Gjakovë, por po ashtu e kemi parasysh se ministri e ka sqaruar deklaratën dhe pozicionin e tij, publikisht” tha Mustafa i cili, në pyetjen e gazetarëve nëse mjafton vetëm vlerësimi si “deklaratë e pa matur” dhe nëse duhet ndërmarr masa tjera, kryeministri Mustafa u përgjigj se, ai dhe Qeveria e tij kanë një respekt për familjet e të pagjeturve, por se tragjedia e të pagjeturve nuk fillon në Gjakovë por është historike sepse ka pasur të pagjetur edhe më herët. Krejt në fund, tregoi se në fillim të muajit që vjen, Kosova do ta vazhdoj dialogun me Serbinë, në Bruksel. Ky do të jetë takimi i parë i Mustafës me Vuçiçin, në nivel kryeministrash.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme