Shqipëria në epokën e re të bashkëpunimit ekonomik me Kinën

Republika e Shqipërisë dhe Republika Popullore e Kinës nënshkruan të hënën në mbrëmje një memorandum për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, duke synuar një epokë të re bashkëpunimi midis dy vendeve.

Shqipëria në epokën e re të bashkëpunimit ekonomik me Kinën

Shqipëria nënshkroi një memorandum me Kinën për ndërtimin e Rrugës së Arbrit të hënën në mbrëmje, duke synuar një epokë të re bashkëpunimi midis dy vendeve, që rigjejnë lidhjet e vjetra, komenton nga Tirana, agjencia kineze e lajmeve "Xinhua", nëpërmjet Benet Kolekas dhe Liu Lihang.

Nënshkrimi i memorandumit midis qeverisë shqiptare dhe bankës kineze "Exim", për dhënien me koncesion të ndërtimit të Rrugës së Arbit, ka gjetur jehonë pozitive në shtypin shqiptar dhe midis studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në prag të vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Beograd, për Samitin Kinë-Evropa Qendrore e Lindore, "CRI Shqip" bisedoi me ish-drejtoreshën e Diplomacisë Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Eva Kushova dhe gazetarin e "RTV Ora News", Patrik Sadikaj. Që të dy bien dakord se Shqipëria duhet të tregohet pragmatike dhe të thellojë bashkëpunimin konkret me Kinën.

"Duhet që Shqipëria të mos ketë asnjë lloj kufizimi me Kinën për marrëdhënien e bashkëpunimit ekonomik", thotë zonja Kushova për "CRI Shqip", që më herët ka këshilluar dhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë.

Kur e pyeta nëse Shqipëria duhet të vendosë marrëdhënie të partneritetit strategjik me Kinën, ashtu siç ka vendosur Serbia, zonja Kushova sugjeron se termi "partneritet strategjik nuk duhet të përdoret më të gjitha vendet e botës, qofshin këto edhe superfuqi ekonomike".

"Shqipëria e ka bërë të qartë se partner strategjik ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të historisë dhe së fundi me që synon të integrohet në Bashkimin Evropian, Shqipëria i ka kthyer sytë nga Gjermania", thotë Kushova, duke shtuar se nuk duhet lënë pas dore asnjë ofertë, që vjen për bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën.

"Mendoj se për sa kohë që nuk jemi bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, nuk duhet të stepemi për bashkëpunim me asnjë vend jashtë BE-së, pavarësisht rezervave, që vendos në raste të veçanta", thekson për "CRI Shqip", Eva Kushova, ish-drejtoreshë e Diplomacisë Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

"Vizita e dytë e Kryeministrit Rama në Beograd në pak kohë do të ishte një rast i mirë për Shqipërinë që të synonte tërheqjen e investimeve kineze, ndërsa qeveria duhet të kuptojë rëndësinë e investimeve dhe potencialin e madh ekonomik, që ka Kina", thekson gazetari Patrik Sadikaj për "CRI Shqip".

"Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit duhet t’i shërbejë shprehjes së gatishmërisë për të mirëpritur investimet kineze dhe për të ofruar lehtësitë e duhura", thekson Sadikaj, duke shtuar se është e qenësishme që Kryeministri Rama të kuptojë potencialin, që ka një fuqi ekonomike si Kina.

"Takimi i Beogradit është një shans i mirë për qeverinë shqiptare, por edhe për atë kineze, për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit dypalësh", tha Sadikaj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme