Shqipëri - Borxhi i jashtëm rritet në 6,6 miliardë euro

Në Shqipëri, borxhi i jashtëm i ekonomisë është rritur me 588 milionë euro në tremujorin e tretë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shqipëri - Borxhi i jashtëm rritet në 6,6 miliardë euro

Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, gati gjysma e rritjes ka ardhur nga borxhi i marrë nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër është borxh i bankave, por edhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë është 6,6 miliardë euro për momentin. Sipas Bankës së Shqipërisë, 2,6 miliardë nga këto janë borxhi i qeverisë, në formën e huave nga donatorët, por edhe kredive tregtare; ndërsa pjesa tjëtër është marrë nga kompanitë private dhe bankat, kryesisht në formën e depozitave nga shtetasit e huaj dhe linjave të kredisë nga mëmat.

Edhe pse Shqipëria ka një nivel të ulët borxhi të jashtëm në krahasim me vendet e tjera, të dhënat tregojnë se ky indeks po rritet me ritme të shpejta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me fundin e vitit 2007, borxhi i jashtëm është trefishuar në vlerë nga 2,2 në 6,6 miliardë euro dhe është aktualisht sa 66 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Vitet e fundit huamarrja nga jashtë ka qenë në jo pak raste një zgjidhje e detyruar për të ruajtur ekuilibrat e ekonomisë në Shqipëri, në pamundësi për të siguruar valutë të mjaftueshme nga eksportet dhe investimet e huaja.

Deficiti primar i vendit, apo diferenca në vlerë mes valutës, që Shqipëria shpenzon për mallra dhe shërbime nga jashtë dhe të ardhurave, që vendi siguron duke i shitur botës; është mbi 10 për qind e PBB-së.

Pavarësisht se pjesa kryesore e kësaj humnere është financuar përmes investimeve të huaja, deficiti i lartë në llogarinë rrjedhëse është një nga shkaqet e rritjes së shpejtë të borxhit dhe në thelb reflekton konkurrueshmërinë e ulët të ekonomisë shqiptare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme