Eurozona zgjat me dy muaj programin e ndihmës për Greqinë

Eurozona vendosi të hënën të zgjasë me dy muaj programin e ndihmës për Greqinë, që duhej të përfundonte më 31 dhjetor, pasi trojka e kreditorëve nuk mund të përfundojë në kohë shqyrtimin e llogarive greke.

Eurozona zgjat me dy muaj programin e ndihmës për Greqinë

“Eurogrupi është dakort t’i japë Greqisë një shtyrje teknike prej dy muajsh të programit aktual të ndihmës”, njoftuan ministrat e Financave në përfundim të një mbledhje në Bruksel. Ky vendim pritet të miratohet nga parlamentet e vendeve anëtare.

“Zgjatja e programit do të mundësojë që të përfundohet analizimi dhe i hap rrugën dhënies së ndihmës prej 1,8 miliardë euro”, theksohet nga eurozona gjatë një konference për shtyp.

Trojka dhe autoritetet greke kanë shumë mosmarrëveshje, që pengojnë kryesisht dhënien e kësaj ndihme prej 1,8 miliardë euro.

Parlamenti grek miratoi të dielën në mbrëmje buxhetin e vitit 2015, por kreditorët vlerësojnë se Greqia do të ketë nevojë nga dy deri në tre miliardë euro receta shtesë në vitin 2015 për të arritur parashikimet e saj ekonomike, ndërkohë që Athina i konteston.

Pasi programi aktual të përfudnojë, zona euro synon të japë një seri kredish parandaluese për Greqinë, nëpërmjet fondit të saj mbështetës, që do të mundësojë garantimin e tregjeve. Këto masa parandaluese do të vijnë me kushte më të buta në raport me programin aktual të ndihmës, ku trojka nxit për masa të reja shtrënguese.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme