Shqipëri – Guvernatori BSH-së mund të jetë edhe shtetas i huaj

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të martën ndryshimet në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, që heq kufizimet për kushtin e shtetësisë.

Shqipëri – Guvernatori BSH-së mund të jetë edhe shtetas i huaj

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8269, date 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë””, të ndryshuar, propozohet nga një grup deputetësh, në mbështetje të nenit 81, pika 1 dhe 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Përmes këtij propozimi kërkohet, shfuqizimi i fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë”, në pikën 3, të nenit 44, të ligjit për Bankën e Shqipërisë. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 161, pika 2, përcakton: “Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhje. ”

Neni 44, pika 3, e ligjit për Bankën e Shqipërisë përcakton: “Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale “.
“Në kushtet kur, Kushtetuta nuk përcakton si kriter për zgjedhjen e Guvernatorit apo anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, shtetësinë shqiptare, atëherë nuk ka pse ky kufizim të jetë në ligj”, deklaroi Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Sipas Braçes tashme çdo shqiptar mund të kandidojë për Guvernator te BSH-se.

Referuar Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i vetmi organ që ka si tagër të vetën plotësimin e kuadrit ligjor sipas formës dhe përmbajtjes që i takon ç’do organi ose institucioni që do të ushtrojë veprimtarinë e vet në një shtet të së drejtës. Qëllimi i këtij propozimi është pikërisht harmonizimi i dispozitës përkatëse ligjore, nenit 44 të ligjit, me dispozitën konkrete Kushtetuese, nenin 161 të Kushtetutës.

Ky projektligj nuk ka efekt financiar që ndikon në buxhetin e shtetit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme