Konsencioni më i suksesshëm, i Tiranës, Shkupit apo Prishtinës?!

Për sa i përket numrit të udhëtarëve Aeroporti i Prishtinës ka shënuar një rritje të vazhdueshme dhe është para atyre të Beogradit dhe Tiranës, deklaron Ibrahim Rexhepi, Drejtor Menaxhues i STRAS-it.

Konsencioni më i suksesshëm, i Tiranës, Shkupit apo Prishtinës?!

Të hënën në Prishtinë, Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS mbajti konferencën me temë "Çfarë solli koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës - krahasime me Tiranën dhe Shkupin".

Në këtë konferencë, morën pjesë përfaqësuesi i Njësisë për Partneritet Publiko-Privat pranë Ministrisë së Financave të Kosovës Lorik Fejzullahu, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Haxhi Arifi dhe Drejtori Financiar i Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” Limak Kosova Erdal Bulut.

Në konferencë u diskutua procesi dhe efektet e koncesionimit të ANP “Adem Jashari” Limak Kosova , sipas partneritetit publiko-privat, si një formë e re e ndërtimit të raporteve ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Sipas Ibrahim Rexhepit, drejtorit menaxhues të STRAS-it, në Kosovë deri tani ka pasur tri raste të koncesionimit: ANP”Adem Jashari”, Shërbimet e transportit urban me autobusë në Pejë dhe Shërbimet komunale të menaxhimit me mbeturina në Komunën e Suharekës.

Ai thotë se, STRAS e ka marrë si rast studimi Aeroportin e Prishtinës për arsye se, ka një rëndësi të veçantë ekonomike dhe strategjike, pasi ka qarkullim vjetor shumë milionësh, numër të madh të punësuarve dhe njëkohësisht, ngërthen interesa të shumë palëve: qeverive lokale, Qeverisë së Kosovës dhe bizneseve.

Komunat që kanë interes nga ANP-ja janë Lipjani, Fushë Kosova dhe Graçanica, pastaj Qeveria e Kosovës, kurse nga ana tjetër, janë interesat e kompanisë koncesionare, kompanive ajrore, agjencive turistike dhe një numri të madh të bizneseve që operojnë në hapësirat e ANP Adem Jashari Limak Kosova.

“Qëllimi ynë ka qenë që pas katër vjet të koncesionimit të aeroportit të shohim deri ku ka mbërritur. Çfarë ka ndodhur atje dhe të mundohem së paku t’i bëjmë transparente disa çështje të cilat deri tani kanë qenë mjaftë të mjegulluara, të errësuara. Unë besojë se, konferenca e ka mbërrij qëllimin së paku që të gjithë partnerët, të gjitha palët relevante në këtë proces janë ulur përball njëri tjetrit dhe kanë ‘hap letrat’ ” tha Ibrahim Rexhepi duke potencuar se për herë të parë është debatuar dhe folur kaq haptas në publik , për marrëveshjen e nënshkruar para katër viteve.

“Ka qenë vetëm qasje në mes të palëve nënshkruese, Qeverisë dhe Kompanisë Limak. Këtu u hapen shumë çështje , por ishte vlerësimi i përgjithshëm se koncesioni po rrjedh në mënyrën ashtu si është planifikuar dhe ndonëse ka kërkesa të llojllojshme, por të gjitha kërkesat duhet të zgjidhen apo problemet që janë të tejkalohen në bazë të ligjeve në fuqi, në Kosovë” tha Rexhepi dhe shtoi se, varësisht nga këndvështrimi i problemeve apo kompetencave që i kanë agjencitë apo institucionet e pranishme në këtë konferencë i diskutuan, konkretisht problemet e lejeve, certifikatave, çështjet e punëtorëve, performancën e aeroportit , koston e fluturimeve dhe shumë çështje të cilat janë të lidhura me mënyrën e funksionimit të tregut, gjë e cila sipas pjesëmarrësve është më shumë përgjegjësi e institucioneve shtetërore se sa përgjegjësi e një kompanie apo e një individi.

Sa i përket kostos së fluturimit, pas hulumtimit të bërë dhe krahasimeve të treguesve fizik dhe financiar, me qëllim të ilustrimit të trendëve të ANP “Adem Jashari” Limak Kosova me Aeroportin “Nënë Tereze” në Tiranë dhe Aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup , konkludimi është se Aeroporti i Prishtinës qëndron mirë dhe është konkurrent me ata të Shkupit dhe Tiranës, por ka hapësirë për përmirësim dhe mund të jetë edhe më “joshës”, në të ardhmen.

“Ne kemi konstatuar se, sa i përket tarifave, ANP nuk është më i shtrenjti. Qëndron aty diku në raport me Shkupin dhe me Tiranën. Mirëpo, mënyra se si operohet në kompanitë ajrore apo agjencitë e ndryshme që merren me transportin e udhëtarëve, ato e kanë përqindjen më të madhe apo pjesëmarrjen më të madhe në atë çmim. Krejt varet nga mënyra se si bëhet kontraktimi i fluturimeve, jo që janë të ndërlidhura aq shumë me tarifat. Për tarifat atëherë, Prishtina është konkurrente edhe me Shkupin edhe me Tiranën” tha Rexhepi i cili shtoi se Aeroporti i Prishtinës, sa i përket numrit të udhëtarëve, ka rritje të vazhdueshme dhe është para atyre të Beogradit dhe Tiranës, kurse aeroporti i Zagrebit kishte trend negativ prej -2,2% më pak udhëtar në vitin 2013 se sa kishte në vitin 2012.

Shikuar në përgjithësi, të pranishmit në këtë konferencë u pajtuan se koncesionimi po shkon mirë dhe investitori është duke i plotësuar të gjitha pikat e marrëveshjes, ndërsa Qeveria e Kosovës, duhet të ketë parasysh se ajo edhe në vazhdim është pronare e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, prandaj, siç u tha në konferencë “Qeveria nuk duhet të sillet me komoditetin se tashmë ANP është breng e koncesionarit dhe vetëm ta presë fundin e vitit për të arkëtuar pjesën që i takon nga biznesi i zhvilluar aty”, por duhet të ndërmarr gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e lejeve të tjera të domosdoshme dhe tejkalimin e problemit me KFOR-in, lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të një pjese të pronës së ANP-së.

Po ashtu, si rekomandim ka dal që, ngjashëm me atë që bënë Qeveria e Maqedonisë e cila e subvencionon Aeroportin “Aleksandri i Madh” edhe Qeveria e Kosovës të subvencionoj ANP-në kur është në pyetje numri i udhëtarëve duke i mundësuar koncesionarit të ofrojë nxitje kompanive ajrore, me miratimin e Qeverisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme