Serbi – Beogradi merr hua një miliard euro nga FMN-ja

FMN-ja i dha Serbisë një hua rezervë prej një miliard euro, e para që prej fillimit të vitit 2012, për të mbështetur një program të zhvillimit ekonomik, që përfshin masa të forta shtrënguese.

Serbi – Beogradi merr hua një miliard euro nga FMN-ja

“Fondi Monetar Ndërkombëtar do të mbështesë Serbinë gjatë 36 muajve në vijim me një vlerë prej një miliard euro”, deklaroi për median, Zsuzsana Murgasova, kryetare e delegacionit të FMN-së, që negocioi këtë hua për dy javë me autoritetet serbe.

“Është një ditë e rëndësishme për Serbinë”, theksoi Kryeministri Aleksandar Vuçiç, i kënaqur për arritjen e marrëveshjes me FMN-në.

“Pas vitesh dështime dhe mungesë disipline, Serbia arriti një marrëveshje me FMN-në, një plan ekonomik u përpunua që do të mbështetet nga të gjithë. Pa këtë plan ekonomik deklaratat tona politike nuk vlejnë asgjë”, deklaroi Vuçiç.

Një marrëveshje tjetër mes Serbisë dhe FMN-së për një hua prej një miliard euro u ngri në shkurt të vitit 2012 për shkak të paaftësisë së qeverisë së atëhershme që të përbushte kushtet e vendosura.

Bisedimet e reja filluan disa ditë pas miratimit nga Parlamenti të një buxheti të bazuar mbi parashikimet e mbledhura nga rënie e PBB-së me një për qind në vitin 2014 dhe të një rritjeje të deficitit buxhetor.

Megjithatë, Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) njoftoi të enjten se ajo parashikonte një rënie të PBB-së me dy për qind në vitin 2014.

Deputetët miratuan gjithashtu në fund të tetorit shumë masa shtrënguese, kryesisht një zvogëlim me 10 për qind të pensioneve dhe rrogave në sektorin publik, që kalojnë 200 euro në muaj.

Serbia, që numëron pesë pensionistë për një të punësuar, përballet me një deficit buxhetor rekord, të vlerësuar në 8 për qind të PBB-së në vitin 2014 dhe që Beogradi kërkon ta ulë në 4,25 për qind në vitin 2016.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme