Kosova, eksportuese kryesore e patates në rajon

Kosova për një kohë të shkurtër pas lufte, ka arritur që nga një importues i patates të kthehet në eksportues, por vazhdon të ketë nevojë për hapat e qeverisë për të siguruar një rendiment më të lartë.

Kosova, eksportuese kryesore e patates në rajon

Vushtrria, ky qytet në veri të Kosovës, njihet me tokë bujqësore dhe me kultivimin e patates. Prodhimi i patates në Vushtrri është traditë, ndërsa patatet e Vushtrrisë nga cilësia kanë qenë kaherë të njohura jo vetëm në Kosovë, ka thënë gjatë një ceremonie ku u shënua Dita e Patates, kryetari i Vushtrisë Bajram Mulaku. Por, sivjet ka pasur ulje të rendimenteve:

Këtë vit kushtet atmosferike nuk ishin aq të favorshme për pataten e as për pemët e perimet e tjera. Sikur që është njohur ne në Vushtri gjatë muajit prill atëherë kur thuajse kishte përfunduar mbjellja e patates kishim mjaft vërshime… në këtë rast vetëm patate të mbjella u dëmtuan rreth 500 hektarë tokë. Sipas një vlerësimi të bërë nga Komisionet e vecanta, dëmet e shkaktuar në këtë rast tejkalonin shifrën prej 1 milionë e 500 mijë eurove”, cilësoi Mulaku.

Prandaj, sipas kryetarit Mulaku, shihet si e domosdoshme që qeveria të gjejë mundësitë dhe të bëjë maksimumin për sigurimin e perimeve, pemëve, shpezëve dhe kafshëve në gjithë Kosovën.

Duhet të theksoj se si pasojë e kushteve klimatike, mesatarja e patates për këtë vit nuk i tejkalon 35 tonë për hektarë. Ndërsa në rrethanat e e favorshme ajo duhet të sillet në rreth 40 tonë për hektarë”, - tha Mulaku.

Në këtë linjë të kërkesave, është edhe pronari i Fabrikës më të madhe në Kosovë për prodhimin dhe përpunimin e patateve Bedri Kosumi.

“Ky ka qenë një vit shumë I rëndë për pataten dhe kulturat e tjera. Jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin… kjo flet se ne duhet të punojmë urgjentisht të gjithë së bashku në krijimin e kushteve për sigurimin e produkteve në hapësirë të hapur”, - tha Kosumi.

Kosumi thotë se që disa vite Kosova ka mjaft patate për popullatën e vet si dhe për eksport. Edhe pse shtet i ri, Kosova do të ofrojë përvojën e saj në zhvillimin e këtij sektori Shqipërisë. Për këtë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku shprehet i lumtur:

Ne si Komunë e Vushtrrisë, unë personalisht jam i lumtur që kemi filluar një bashkëpunim të mirë me komunën e Shishtavecit, komunë e shtetit shqiptar, në këmbimin e përvojave në përpunimin e patates”, - u shpreh Mulaku.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se është i rëndësishëm që bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë të ngritët në nivel më të lartë.

Vushtrria po bëhet një qendër jo thjesht për të dhënë eksperiencë në gjithë Kosovën por edhe jashtë kufijve të saj. Iniciativa e kohëve të fundit që për të vendosur urat e bashkëpunimit edhe me komunën e Shishtavecit është për tu besuar”,- tha Minxhozi.

Nga ana e tij, prodhuesi Bedri Kosumi kërkon që legjislacioni mes Kosovës e Shqipërisë të harmonizohet sa më shpejt që është e mundur.

Mbështetje sektorit të patates në Kosovë, po jep edhe Turqia. Ambasadorja e Turqisë Songul Ozan, e cila poashtu morri pjesë në Ditën e Patates, theksoi se Kosova si një shtet i ri ka nevojë për prodhim:

Prodhimi dhe në mënyrë të veçantë prodhimi bujqësor është faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë për krijimin e mundësive të punësimit", - tha Ozan.

Ozan tha se si Turqi po mundohen të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

M.Saragjolli / Prishtinë


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme