Moody’s: Shqipëria me ekonomi stabël

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit finanicar, Moody’s, konfirmoi vlerësimin “B1” për obligacionet e qeverisë shqiptare me parashikim të “qëndrueshëm”.

Moody’s: Shqipëria me ekonomi stabël

Në raportin e saj, agjencia Moody’s citon si arsye kryesore disa faktorë pozitivë, që kanë kompensuar dobësitë e ekonomisë, të cilat mund të kishin shkaktuar një vlerësim në rënie.

Në një kohë që shumë vende janë përballur me një zhvlerësim nga agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit, Shqipëria po ruan me sukses nivelin “B1” dhe pritshmëritë janë për një vlerësim pozitiv në të ardhmen. Moody’s përmend disa arsye kryesore që kanë ndikuar pozitivisht në këtë vlerësim:

1- Masat e konsolidimit fiskal nga administrata e re, sipas marrëveshjes së arritur me Fondit Monetar Ndërkombëtar, që synojnë përmirësimin e performancës fiskale.
2- Statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është një tjetër faktor pozitiv, që pritet të imponojë realizimin e reformave institucionale dhe të jetë një faktor i rëndësishëm për thithjen e investimeve të huaja direkte.
3- Pagesa e detyrimeve të prapambetura për bizneset do të rrisë deficitin fiskal për 2014 në 6,7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por në anën tjetër do të ndihmojë në lehtësimin e kushteve të kreditimit, pasi do t'u mundësojë kompanive të ripaguajnë huatë bankare dhe do të jetë një faktor i rëndësishëm në qarkullimin e kapitaleve.
4- Gjatë këtij viti, borxhi publik pritet të rritet në 74% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por do të bjerë gradualisht duke filluar nga viti i ardhshëm.

Vlerësimi i bonove në valutë të huaj dhe për depozitat është në Ba2 dhe B2 respektivisht. Ndërsa vlerësimi për bonot në monedhën vendase u rrit në Baa3, nga Ba1 që ishte më parë.

Agjencia Moody’s jep edhe disa këshilla për qeverinë, që mund të sjellin një vlerësim në rritje në të ardhmen.

"Progresi në realizimin e reformave strukturore do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e vlerësimit për bonot e qeverisë shqiptare. Në mënyrë të veçantë, përmirësimi i performancës së institucioneve, duke përfshirë edhe suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe efikasitetin e gjyqësorit. Realizimi me sukses i këtyre reformave do të përmirësonte konkurrencën, do ta bënte Shqipërinë më tërheqëse për bizneset dhe për rrjedhojë vlerësimi do të ishte pozitiv", shkruhet në raportin e Moody's.

Por, në anën tjetër, Moody’s jep edhe disa faktorë, që mund të çojnë në një zhvlerësim: "Një dështim për të stabilizuar deficitin fiskal dhe borxhin publik do të rriste presionin për një vlerësim në rënie. Realizimi i këtyre dy objektivave mund të komplikohet potencialisht nga moszgjidhja e çështjes së kthimit të pronave, ose nga sektori energjetik."


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme