Greqi - Qeveria e vendosur për privatizimet

“Nuk do të lejojmë që populistët të na heqin të drejtën për progres”, deklaroi kryeministri Samaras gjatë një fjalimi në selinë e Parlamentit Evropian.

Greqi - Qeveria e vendosur për privatizimet

Në Greqi po përpiqemi të avancojmë me privatizimet që janë bërë gjithandej në botë dhe kudo dhanë rezultat, deklaroi kryeministri grek, Antonis Samaras në një ndërhyrje për çështjen e Korporatës Elektrike Greke (DEI).

Gjatë fjalimit të tij në selinë e Parlamentit Europian, Samaras e quajti një shaka pa shije kritikën e opozitës dhe të sindikalistëve se qeveria po shet gjithçka. Samaras solli si shembull çështjen e OTE-së, telekomit grek, duke thënë se që nga koha kur u privatizua, grekët kanë akses në shërbimin telefonik me çmime më të ulëta.

“Nuk do të lejoj në asnjë rast që populistët fanatikë dhe krijuesit e iluzioneve të rreme të na heqin të drejtën për progres. E drejta e progresit kalon edhe përmes privatizmeve”, theksoi kryeministri grek.

“Në vitin 2010 në BE nuk ekzistonin instrumente për përballimin e krizës ekonomike, por tashmë jemi të përgatitur më mirë që të përballojmë një krizë të re, kurdo dhe sido që ajo të shfaqet”, shtoi Samaras.

“Ndryshuam gjithë ç’mund të ndryshonim, arritëm përmirësimin më të madh fiskal në intervalin më të shkurtër kohor, dolëm më shpejt nga sa e prisnin të tjerët në tregjet financiare dhe i dhamë fund një periudhe recesioni gjashtëvjeçar”, deklaroi kryeministri grek.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme