Anëtarë të MUSIAD-it të interesuar për investime në Tetovë

Biznesmenë turq dhe ata shqiptarë janë takuar në një forumi biznesi organizuar të shtunën në Tetovë nga ADEC dhe MUSIAD dega Sakarya.

Anëtarë të MUSIAD-it të interesuar për investime në Tetovë

Në vazhdën e bashkëpunimit ndërmjet Asociacionit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (ADEC) dhe Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve të Pavarur të Turqisë (MUSIAD), të shtunën (më 14.06.2014) në hapësirat e Shoqatës Kulturore “Vizioni M” në Tetovë u zhvillua një forum biznesi, ku ADEC-u ishte nikoqir i 15 biznesmenëve anëtarë të MUSIAD-it – Dega e Sakarya-s, të cilëve iu bashkëngjiten edhe rreth 35 biznesmenë nga rajoni i Tetovës.

Kryetari i ADEC-ut, z. Jusuf ILAZI, në hapjen e këtij forumi të biznesit përmendi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet biznesmenëve nga rajoni dhe atyre nga Turqia, duke u mbështetur në vrullin e zhvillimit ekonomik të atij vendi. Gjithashtu shtoi se ADEC-u ka një lidhje shumë të gjatë bashkëpunimi me MUSIAD-in dhe ka qenë urë lidhëse ndërmjet biznesit në Turqi dhe atij në rajon, si dhe organizator i vizitave të shumta në forumet e biznesit dhe panairet e organizuara nga MUSIAD-i, ndërsa theksoi edhe mundësinë e pjesëmarrjes në ngjarjen e këtij viti, e cila do të mbahet në Stamboll mes datave 26-30 nëntor dhe ku parashihet të marrin pjesë një numër i madh kompanish nga mbi 60 vende të botës.

Grupit të biznesmenëve të pranishëm iu drejtua edhe kryetari i MUSIAD nga rajoni i Sakaryas, z. Halit INCI, i cili theksoi se raste të këtilla hapin mundësi të reja bashkëpunimi dhe thellojnë lidhjet ekzistuese. Ai, mes tjerash, përmendi faktin se rajoni i Sakaryas është i njohur me industrinë automobilistike dhe atë të materialeve ndërtimore.

Pas përmbylljes së fjalimeve përshëndetëse dhe pas një pauze të shkurtër për njohje joformale, aktiviteti vazhdoi me takimet B2B, ku u prezantuan më detajisht bizneset mes veti, duke shkëmbyen oferta, ndërsa nuk mungoi as interesi i bashkëpunimit të mëtutjeshëm.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme