Kryetari i Bashkisë së Yskydarit (Stamboll) vizitoi Shkodrën

Kryetari i Bashkisë së Yskydarit (Üsküdar) në Stamboll gjatë vizitës që bëri në Shkodër shprehu interesin për investime.

Kryetari i Bashkisë së Yskydarit (Stamboll) vizitoi Shkodrën

Me ftesë të kryetarit të Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, kreu i Bashkisë Yskydar (Üsküdar) në Stamboll të Turqisë, Hilmi Turkmen, zhvilloi një vizitë në bashkinë e qytetit verior.

I shoqëruar edhe nga një staf i zgjeruar i administratës së tij, kryebashkiaku turk, Turkmen, diskutoi gjerë e gjatë me homologun e tij në lidhje me zgjerimin e bashkëpunimit në mes dy bashkive përkatëse.

Duke nënvizuar mbarëvajtjen dhe ecurinë e suksesshme të bashkëpunimit mes këtyre dy bashkive, që në fakt kanë nisur vite më parë, kryebashkiaku shkodran, Lorenc Luka, tha se “gjej rastin që edhe në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, t’i uroj për një mandat të suksesshëm në shërbim të qytetarëve të tij dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi, ky mandat i tij, le të shërbejë për një rritje edhe më të madhe në raportet bashkëpunuese në mes dy bashkive përkatëse”.

Në vijim, biseda rreth njëorëshe në mes përfaqësuesve të dy bashkive përkatëse është fokusuar më tepër në planin e investimeve, aty ku turqit kanë qenë edhe më të interesuar, madje duke vënë në dukje se kanë në dispozicion edhe projekte konkrete për këtë qëllim.

Ndër të tjera, me interes është pritur edhe deklarata e kryebashkiakut, Luka, i cili nga ana e tij, i ka bërë të ditur miqve nga Turqia, se institucioni që ai drejton, është i gatshëm të ndikojë në mbështetjen dhe lehtësirat e nevojshme në lidhje me iniciativat dhe procedurat që investitorët turq do të ndërmarrin në Shkodër.

Krahas vizitës në bashkinë e Shkodrës, delegacioni i Bashkisë Yskydar në Turqi, i kryesuar nga kreu i këtij institucioni, Hilmi Turkmen, ishte i pranishëm edhe në disa pika turistike të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që mori pjesë edhe në hapjen e një panairi artizanal të organizuar nga Medreseja e Djemve të Shkodrës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme