Kolumbia për herë të parë në histori në çerekfinale

Mesfushori i Monakos me dygolëshin e sotëm ngjitet në kuotën e pesë golave, duke kryesuar kështu renditjen e golashënuesve.

 Kolumbia për herë të parë në histori në çerekfinale

Historike, Kolumbia për herë të parë do të jetë në çerekfinalet e një botërori, pas fitores 2-0 të arritur në dëm të Uruguait. Heroi i takimit është James Rodriguez, i cili gjunjëzoi dy herë Muslerën.

Mesfushori i Monakos me dygolëshin e sotëm ngjitet në kuotën e pesë golave, duke kryesuar kështu renditjen e golashënuesve dhe duke lënë prapa lojtar si Lionel Messi, Thomas Muller apo Neymar me katër gola, Roben, Van Persie dhe Shaqiri me nga tre gola. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin madhështor “Maracana” të Rio De Janeros, që është dhe teatri ku do të zhvillohet edhe finalja e madhe vuri në dukje se Uruguai nuk shënon pa Suarez.

Mungesa e bomberit të Liverpul, i cili u dënua nga FIFA për 9-të ndeshje ndërkombëtare për kafshimin ndaj Chiellinit është ndjerë shumë tek skuadra e Oscar Tabarez. 2 herë kampionët e botës shëtitën tek porta kolumbiane pak herë pas minutës së 80’ dhe në të gjitha rastet pa vënë në siklet portierin Ospina.

Rreshtimi taktit i skuadrave i dha të drejtë teknikut Jose Pekerman, pasi skuadra kolumbiane shumë shpejt u kthye zot i fushës, ndërsa uruguaianët u mbyllën në mbrojtje dhe i besuan Cavanit kundërsulmet e tyre, por “El matador” nuk ishte në ditën e tij më të mirë.

Loja vijoi e shpejtë dhe 23-vjeçarit, Rodriguez i’u deshën vetëm 28’ minuta lojë për të ngritur peshë të gjithë stadiumin me një super gol. Cuadrado shërben mesfushorin e Monakos, ai kontrollon topin me gjoks dhe godet nga hyrja e zonës së rreptësisë me të majtën e tij, topi përfundon në rrjetë me ndihmën e traversës, ku Muslera nuk ka çfarë të bëjë.

Minutat e mbetura të pjesë së parë shërbyen vetëm për të forcuar pozitat e kolumbianëve në fushë, pasi të kaltrit nuk patën kthjelltësinë e duhur për të reaguar.

Fillimi i pjesë së dytë vërtetoi verdiktin e 45 minutëshit të parë. Një aksion perfekt i kolumbianëve do ti jepte mundësinë Rodriguez të dyfishonte rezultatin. Armero kroson në zonë, Cuadrado bënë spondën për 23-vjecarin Rodriguez, që lehtësisht dërgon topin pas shpatullave të Muslerës.

Pas këtij momenti, tekniku Tabarez do të ndryshonte skemën e lojës, duke futur në kuadratin e gjelbër forca të reja. Në ndihmë të Cavanit tekniku uruguaian futi Gastor Ramirez dhe Christian Stuanin. I pari mori vendin e Diego Forlan, që shëtiti fanellën në fushë gjatë pjesës së parë. Ndërsa i dyti mori vendin e Alvaro Perreiras, i cili u sakrifikua për të ndryshuar taktikisht rreshtimin e skuadrës. 2 herë kampionët e botës rritën shpejtësinë e lojës, por jo rrezikshmërinë, pasi muri Kolumbian ishte i pakalueshëm.

Në lojë në minutën e 78’ u fut edhe sulmuesi Hernandez, në vend të mesfushorit Rodriguez, por sërish uruguaianët edhe pse me 4 sulmues nuk do të ishin të rrezikshëm. Në fund rezultati do të mbetej 2-0 dhe Tabarez do të drejtonte sytë nga qielli sikur kërkonte ti thoshte Suarez se mungesa e tij ishte shkaku i eliminimit të të kaltërve .

Me këtë fitore skuadra Kolumbiane shkruan historinë, pasi verdhë e blutë do të marrin pjesë për herë të parë në një çerekfinale të një kampionati botëror. Rezultati më i mirë historik i tyre datonte në vitin 1990, kur kolumbianët do të kalonin për herë të parë fazën e grupeve, duke u eliminuar më pas në fazën e 1/8-ve, por sot skuadra e Pakerman tejkaloi veten duke cekur dhe çerekfinalet, ku përballë do të jetë Brazili. Mbetet për tu parë nëse 5 herë kampionët e botës do t’ja dalin të ndalojnë ëndrrën e kolumbianëve apo do të jenë e viktimë e radhës e “bandës” Rodrigues me shokë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme