UNICEF: Rreth 100 fëmijë janë vrarë në Ukrainë gjatë muajit të fundit

Në muajin e kaluar, UNICEF ka verifikuar se rreth 100 fëmijë janë vrarë në Ukrainë, ku në ditë sulmohen mesatarisht 22 shkolla.

1826498
UNICEF: Rreth 100 fëmijë janë vrarë në Ukrainë gjatë muajit të fundit
ukrayna mariupol

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i UNICEF-it, Omar Abdi gjatë informimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deklaroi se lufta e vazhdueshme në Ukrainë ka krijuar një krizë në lidhje me të drejtat e fëmijëve.

“Lufta në Ukrainë, si të gjitha luftërat, është një krizë e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve dhe sot në Ukrainë është nën sulm edhe arsimi. Pothuajse 100 fëmijë janë vrarë gjatë muajit të fundit”, tha Abdi.

Ambasadori i ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Richard Mills theksoi se mesatarisht 22 shkolla në ditë janë sulmuar në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën ndaj këtij vendi (24 shkurt).

Kurse Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia i hodhi poshtë akuzat ndaj ushtrisë ruse duke argumentuar se historia u mësohet gabim fëmijëve në Ukrainë.

Ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, ka akuzuar ndërkohë Rusinë për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas duke miratuar një ligj për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e birësimit.

*

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz diskutuan sërish situatën në Ukrainë dhe rrjedhën e negociatave mes Moskës dhe Kievit.

Biseda telefonike u zhvillua me kërkesën e palës gjermane, njofton zyra e shtypit e Kremlinit.

Sipas deklaratës se Kremlinit, Vladimir Putin përmblodhi logjikën dhe detyrat kryesore të "operacionit special ushtarak" që rusët kanë filluar më 24 shkurt në Ukrainë si dhe foli për masat e marra për të garantuar sigurinë e civilëve.

Gjithashtu u përmend se civilët, të cilët mbaheshin nga forcat e sigurisë ukrainase në kombinatin metalurgjik të Azovstalit në Mariupol, u evakuuan me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OKB-së dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Gjatë bisedës telefonike u vu në dukje se luftëtarët që mbrojnë ideologjinë naziste shkelin normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe përdorin metoda çnjerëzore të terrorizmit.

Gjatë takimit, në të cilin u diskutua edhe çështja e negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, u arrit marrëveshje për vazhdimin e kontakteve përmes kanaleve të ndryshme.

Presidenti i Rusisë dhe Kancelari i Gjermanisë ranë dakord që diskutimi për çështjet e lartpërmendura të vazhdojë gjatë kontakteve në kanale të ndryshme.

Lidhur me bisedën telefonike 75-minutëshe që kancelari Scholz pati me presidentin rus Vladimir Putin, Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit tha kancelari Scholz kishte diskutoi luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe përpjekjet e tij për t'i dhënë fund kësaj lufte.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës ushtarake dhe pasojat e luftës në Ukrainë, veçanërisht në Mariupol, kancelari këmbënguli në sigurimin e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur, përmirësimin e situatës humanitare dhe gjetjen e një zgjidhje diplomatike për konfliktin”.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane deklaroi se Scholz mohoi gjithashtu akuzat se nazizmi ishte i përhapur në Ukrainë.

Të dy liderët diskutuan edhe situatën globale të ushqimit, e cila është në gjendje kritike për shkak të luftës që ka hapur Rusia,- shtoi zëdhënësi Hebestreit dhe vuri në dukje se Scholz solli në kujtesë se Rusia ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim.

*

Britania e Madhe ka vendosur të vejë sanksione të reja ndaj rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, për shkak të luftës që filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Në një deklaratë të bërë nga Ministria britanike e Jashtme, thuhej se vendimi i ri i sanksionit kundër Rusisë kishte në shënjestër rrjetin financiar të Putinit, "anëtarët e familjes (së Putinit) që përbëjnë unitetin thelbësor të rrethit të tij të ngushtë dhe ata mbajnë poste në pushtet për shkak të besnikërisë së tyre ndaj regjimit rus”.

Sipas deklaratës, në mesin e atyre që u sanksionuan janë ish-gruaja e Putinit, Lyudmila Ocheretnaya, kushërinjtë Igor Putin dhe Mikhail Shelomov, gjimnastja me famë botërore Alina Kabaeva, e cila dyshohet se është e afërt me Presidentin rus dhe miku i tij Alexander Plekhov dhe i afërmi i tij, biznesmeni rus Mikhail Putin.

Vihet në dukje se sanksionet në fjalë do të "rrisin presionin ndaj Putinit, ndërkohë që pushtimi i pakuptimtë i Ukrainës vazhdon".

Në deklaratë, u raportua se Britania e Madhe deri më tani ka vendosur sanksione me vlerë 117 miliardë paund ndaj më shumë se një mijë njerëzve dhe 100 organizatave, përfshirë oligarkët rusë.

Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, pikëpamjet e së cilës u përfshinë në deklaratë, tha: "Ne ekspozojmë dhe synojmë rrjetin e fshehtë që mbështet stilin e jetës luksoze të Putinit dhe shtrëngon rrethin e tij të brendshëm".

“Derisa Ukraina të fitojë, ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione ndaj kujtdo që ndihmon dhe nxit agresionin e Putinit.

Ministrja britanike në deklaratën e saj në Gjermani, ku ndodhet në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të G7, që përbëhet nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara (SHBA), Anglia, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia, vendet me ekonominë më të zhvilluar), u bëri thirrje vendeve të G7 që të rrisin presionin ndaj Putinit duke zgjeruar sanksionet kundër Rusisë.

*

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin pas takimit të tij me ligjvënësit gjermanë, Dmytro Kuleba tha se është ende herët për të bërë një vlerësim përfundimtar lidhur me propozimin e Presidentit Emmanuel Macron të Francës për Komunitetin Politik Evropian, pasi shumë detaje rreth nismës ende nuk dihen.

“Për aq sa ne e kuptojmë propozimin francez, ai nuk bie ndesh me dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE për Ukrainën”, tha ai duke bërë të qartë gjithashtu se alternativat ndaj anëtarësimit do të ishin të papranueshme për Kievin.

“Nuk kam përshtypjen se kjo nismë e përjashton Ukrainën nga lista e mundshme e anëtarëve. Por nëse është kështu, kjo është diskriminuese, e padrejtë dhe bie ndesh me deklaratat publike që vijnë nga Franca dhe vende të tjera”, theksoi Kuleba.

Shefi i diplomacisë ukrainase vuri në pah se Kievi pret një përgjigje pozitive nga Brukseli lidhur me aplikimin e vendit të tij për anëtarësim në Union.

“Ne besojmë fuqimisht se do të jetë në interesin më të mirë të Evropës që t'i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të qershorit, në samitin e Këshillit Evropian”, shtoi ai.

Kurse në një prononcim për televizionin gjerman “ARD”, ministri Kuleba kërkoi që Ukrainës t'i rezervohet një vend në BE duke premtuar se Kievi do të vazhdojë të punojë fort për statusin e vendit kandidat.

“Unë dëgjoj shpesh të thuhet se «Ukraina i përket Evropës dhe është pjesë e familjes evropiane». Dhe, për hir të së vërtetës, ne s’po flasim për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE, por është shumë e rëndësishme për ne që ky vend të jetë i rezervuar për Ukrainën”, u shpreh ai.

Kuleba nga njëra anë shprehu kënaqësinë e tij për ndryshimin e qëndrimit të Gjermanisë në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës dhe nga ana tjetër reagoi ndaj moslejimit të ekspozimit të flamurit ukrainas në aktivitetet përkujtimore të mbajtura në Berlin më 8 dhe 9 maj, me rastin e 77-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore në Evropë.

I ftuar në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G7-s, i cili fillon sot nën mikpritjen e kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, në landin Shlesvig-Holshtajn, Dmytro Kuleba potencoi se në këtë mbledhje duhet të trajtohen sanksionet kundër Rusisë, e cila nisi një luftë kundër vendit të tij më 24 shkurt (2022), si dhe lufta kundër mungesës globale të ushqimit.

Ministri ukrainas kritikoi gjithashtu tregtinë e Rusisë me drithërat dhe produktet ushqimore që ajo ka konfiskuar në jug të vendit të tij.



Lajme të ngjashme