Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Nuk ka armiqësi të rëndësishme në kufirin me Rusinë

Duke folur në parlament për tensionin Rusi-Ukrainë ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov lidhur me situatën në Bjellorusi tha se atje është krijuar një pamje tjetër.

1769883
Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Nuk ka armiqësi të rëndësishme në kufirin me Rusinë

Kievi po ndjek nga afër lëvizjet e ushtarakëve rusë, të cilët kanë shkuar në Bjellorusi për stërvitje.

Kështu deklaroi ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, gjatë fjalimit të tij në Kuvend (Verkhovna Rada), ku iu përgjigj pyetjeve lidhur me tensionin ushtarak mes vendit të tij dhe Rusisë.

Sipas tij, situata në kufirin Ukrainë-Rusi për momentin nuk ndryshon nga ajo që ka qenë në pranverën e vitit 2021.

“Nuk ka incidente apo veprime të natyrës ushtarake pranë kufirit të Ukrainës me Rusinë që do të ndryshonin dukshëm nga ajo që ndodhi pranverën e kaluar”, tha kreu i Ministrisë së Mbrojtjes.

Duke folur për situatën në Bjellorusi, Reznikov tha se atje është krijuar një pamje tjetër.

“Ne po monitorojmë nga afër situatën. Sa për trupat ruse që bëjnë stërvitje në Bjellorusi, për momentin ato ngjasojnë më shumë me një kontingjent pushtues sesa një grup goditës dhe përbëjnë një kërcënim më të madh për Minskun sesa për Ukrainën. Ne ushqejmë ndjenja shumë të ngrohta për popullin bjellorus dhe çdo veprim i dhunshëm kundër Bjellorusisë është në kundërshtim me interesat e Ukrainës. Dua që këtë ta dëgjojë edhe Minsku”,-theksoi Reznikov.

 


Lajme të ngjashme