Gjermani – Ministrja e Jashtme mbron politikën e vendit të saj lidhur me Ukrainën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, mbrojti të enjten politikat e vendit të saj kundër kritikave se Berlini zyrtar ka bërë shumë pak për Ukrainën.

1769427
Gjermani – Ministrja e Jashtme mbron politikën e vendit të saj lidhur me Ukrainën

“Gjermania po e mbështet Ukrainën ushtarakisht. Ne po e furnizojmë Ukrainën me helmeta duke iu përgjigjur kërkesës së saj në këtë drejtim. Kjo ishte kërkesa speciale që ne po e përmbushnim me përparësi”, argumentoi Annalena Baerbock gjatë një fjalimi në Bundestag.

Shefja e diplomacisë gjermane u ndal gjithashtu mbi kritikat ndaj vendit të saj për politikat në lidhje me Ukrainën.

“Disa tani kërkojnë dorëzimin e menjëhershëm të armëve. Në situata të vështira, duhet të bëni autokritikë për veprimet tuaja. Një deklaratë për shtyp mund të shkruhet shpejt, por kthimi 180 gradë i kursit të politikës së jashtme duhet të bëhet me vetëdije të plotë. Rimbyllja e kanaleve diplomatike duhet të parandalohet. Ne duhet të forcojmë Ukrainën ekonomikisht dhe financiarisht, sepse njerëzit në shekullin XXI nuk kërcënohen vetëm me artileri”, theksoi Baerbock mes të tjerash.

Vlen të përmendim se 5.000 helmetat e ofruara nga Gjermania për Ukrainën në mesin e frikës së një pushtimi rus u përshkruan si një “shaka e shëmtuar” nga ish-boksieri profesionist Vitali Klitschko, kryetar i Bashkisë së Kievit.

“Kam marrë një letër nga Ambasada ukrainase, ku kërkohej mbështetje me pajisje ushtarake, helmeta për të qenë të saktë”, u kishte thënë me herët gazetarëve ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrech.

“Ne do të furnizojmë Ukrainën me 5.000 helmeta si një sinjal i qartë se ne jemi në anën tuaj”, shtoi ajo.

Por kryebashkiaku i Kievit reagoi ashpër ndaj kësaj deklarate.

“Sjellja e qeverisë gjermane më lë pa fjalë. Ministria e Mbrojtjes me sa duket nuk e ka kuptuar se ne jemi përballë forcave ruse të pajisura në mënyrë të përkryer dhe gati të fillojnë një pushtim të Ukrainës në çdo kohë”, u shpreh Klitschko për të përditshmen gjermane “Bild”.

“Ç'lloj mbështetjeje do të na japë më pas Gjermania? Mos vallë do të na sjellin jastëkë”, vijoi ai me ironi.

Furnizimi i parëndësishëm gjerman rezulton një kontrast i thellë në krahasim me dërgesat e armëve dhe paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Ukraina së fundmi i kishte lëshuar një kërkesë urgjente Gjermanisë për 100.000 helmeta dhe jelekë antiplumb duke shpresuar që t'ua japë ato njerëzve që do të regjistrohen në ushtri për të mbrojtur vendin e tyre në rast të një agresioni rus të mundshëm.



Lajme të ngjashme