Dmitry Peskov: Putini e pranoi ftesën e Erdoganit për të vizituar Turqinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vijë në Turqi me ftesë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

1769322
Dmitry Peskov: Putini e pranoi ftesën e Erdoganit për të vizituar Turqinë
Erdoğan-Putin görüşmesi.jpg

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi të enjten se Putini e pranoi me kënaqësi ftesën e Presidentit Erdogan për vizitë në Turqi.

Duke folur për gazetarët në kryeqytetin Moskë të Rusisë, Peskovi deklaroi se ftesa e Erdoganit për Putinin ka ardhur në rend të ditës gjatë bisedimeve mes dy liderëve.

“Për shkak të pandemisë COVID-19, ka pasur një pauzë të pashmangshme në mbajtjen e takimeve të Komisionit Ndërqeveritar dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, i cili drejtohet nga dy presidentët”, shtoi zyrtari i lartë rus.

Ai bëri me dije se Presidenti Erdogan ka shprehur gatishmërinë për t'i pritur kontaktet dhe aktivitetet e lartpërmendura në Turqi.

“Putin e pranoi me kënaqësi ftesën e Erdoganit. Ata ranë dakord që kjo ftesë të nderohet sapo të lejojnë pandemia COVID-19 dhe agjendat. Ai (Putini) patjetër do të përfitojë nga kjo ftesë”, sqaroi Peskovi.

Duke komentuar mes të tjerash edhe përgjigjen me shkrim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan Rusisë mbrëmjen e së mërkurës lidhur me garancitë e sigurisë, zëdhënësi i Kremlinit tha se Putini e lexoi vetë përgjigjen në fjalë.

Pasi vuri në pah se SHBA-ja dhe NATO-ja i kanë hedhur poshtë shqetësimet bazë të Rusisë, Peskovi vijoi me këto fjalë: “Rrjedhimisht, ka pak arsye për optimizëm. Duhet kohë për të shqyrtuar përgjigjet me shkrim të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Ne s'duhet të ngutemi për të nxjerrë përfundime.”

Kërkesat e Moskës për garanci në fushën e sigurisë përfshinin një pauzë të zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes, veçanërisht në Ukrainë e Gjeorgji, si dhe një reduktim të trupave të Aleancës në Evropën Lindore.

Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë këto kërkesa dhe kanë kërkuar nga Rusia tërheqjen e forcave të saj nga kufiri me Ukrainën. Uashingtoni gjithashtu i ka propozuar Moskës mundësi për dialog mbi çështje të ndryshme duke përfshirë manovrat ushtarake, transparencën në fushën e sigurisë dhe pozicionimet e raketave; ndërsa Rusia u dha një përgjigje fillestare të kujdesshme propozimeve me shkrim.

Mes të tjerash, Peskovi potencoi se nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me reagimin publik të Moskës ndaj përgjigjeve të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Kurse ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, deklaroi se përgjigja e SHBA-së ndaj Moskës për çështjet e sigurisë nuk ishte pozitive.

“Përmbajtja e përgjigjes së SHBA-së lejon një dialog serioz, por për çështje dytësore”, tha Lavrovi duke shtuar se Putini që do të vendosë vetë për hapat që do të ndërmerren pas përgjigjes së Uashingtonit.



Lajme të ngjashme