BE-ja, mesazh për unitet të fortë me SHBA-në dhe mbështetje për Ukrainën

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, njoftoi të hënën se janë në unitet kundër Rusisë dhe se mund të caktojnë një mision për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride.

1767914
BE-ja, mesazh për unitet të fortë me SHBA-në dhe mbështetje për Ukrainën

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas Takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se duan të dërgojnë një mesazh të fortë se BE-ja është e bashkuar në rast të agresionit të mundshëm nga Rusia.

Duke argumentuar se Unioni nuk është lënë jashtë negociatave me Rusinë, kryediplomati evropian theksoi se BE-ja diskuton dhe koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës para dhe pas çdo takimi (lidhur me tensionet Rusi-Ukrainë).

Ai tha se qasja kundër Rusisë ngrihet mbi 3 shtylla.

Pasi sqaroi se shtylla e parë është diplomacia dhe dialogu, Borrell bëri me dije se BE-ja është në një pozicion shumë të avancuar për sa i takon reagimit ndaj Rusisë nëse ky opsion nuk funksionon.

“Do të ketë veprim të shpejtë dhe të vendosur me një unitet të fortë jo vetëm brenda BE-së, por edhe ndërkombëtarisht”, u shpreh Borrell duke njoftuar se në fund ata do ta mbështesin Ukrainën si financiarisht ashtu edhe në mënyra të tjera, ndërsa eurokomisari për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të vizitojë Ukrainën dhe do të punojë mbi mënyrat e tjera për të mbështetur këtë vend.

“Ne jemi të gatshëm, nëse paraqitet nevoja, të caktojmë një mision për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride”, shtoi shefi i diplomacisë evropiane.

I pyetur për natyrën e sanksioneve kundër Rusisë, Josep Borrell u përgjigj me këto fjalë: “Një pjesë e fuqisë parandaluese është mosdhënia e informacionit. Mos u shqetësoni, sanksionet do të vendosen dhe zbatohen në kohën e duhur.”



Lajme të ngjashme