Peskov: Moska pret përgjigjen e ShBA-së dhe NATO-s për garancitë e sigurisë

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë ndërmarrë tashmë hapat e parë në dialog, duke përfshirë mbajtjen e konsultimeve për garancitë e sigurisë.

1766506
Peskov: Moska pret përgjigjen e ShBA-së dhe NATO-s për garancitë e sigurisë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të premten iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Moskë, ku vlerësoi edhe takimin e mbajtur në Gjenevë të Zvicrës mes ministrin të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Peskov kujtoi se në dhjetor 2021, Rusia u dërgoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe NATO-s nga një projektmarrëveshje lidhur me garancitë e sigurisë.

Blinken nuk i solli Rusisë një përgjigje me shkrim për këto propozime (të Moskës),- u tha gazetarëve Peskov dhe shtoi: "Ne e dinim paraprakisht se Blinken nuk do të dorëzonte [përgjigjet për garancitë], në fakt, ky takim kishte qëllim tjetër. Ne presim që Lavrov dhe Blinken të kenë mundësinë t’i shkëmbejnë pikëpamjet dhe të krahasojnë rezultatet e tre raundeve të negociatave që janë mbajtur për sigurinë.

Rusia dhe ShBA-të i kanë ndërmarrë tashmë hapat e parë në dialog, duke përfshirë mbajtjen e konsultimeve për garancitë e sigurisë, shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

“Hapat e parë janë hedhur, konsultimet janë bërë, diskutimet janë duke u zhvilluar. Një tjetër gjë është se si do të formulohet përgjigja për shqetësimet tona. Kjo është ajo që ne presim këto ditë”, tha ai.

Peskov komentoi gjithashtu nismat e Turqisë për zgjidhjen e çështjes ukrainase.

“Kryesisht dëgjojmë deklarata që bëhen nga Ankaraja. E përsëris edhe një herë se çdo përpjekje për të zgjidhur situatën në Ukrainë mund të jetë e mirëpritur”, tha Peskov.

 


Lajme të ngjashme