Eva-Maria Liimets: Turqia dhe Estonia, dy aleate shumë të mira në NATO

Ministrja e Punëve të Jashtme të Estonisë, Eva-Maria Liimets, deklaroi të premten se Turqia dhe Estonia janë dy aleate shumë të mira në NATO.

1766449
Eva-Maria Liimets: Turqia dhe Estonia, dy aleate shumë të mira në NATO
Eva-Maria Liimets.JPG

Eva-Maria Liimets, e cila po qëndron në Turqi për një vizitë zyrtare, tha në një deklaratë për shtyp se gjatë kontakteve janë fokusuar veçanërisht në çështje të tilla si marrëdhëniet bilaterale, ekonomia dhe siguria.

Ajo bëri me dije se këtë vit do të ketë më shumë ndërveprim parlamentar mes dy vendeve dhe se delegacionet e biznesit do të vizitojnë njëri-tjetrin, bashkëpunimi tregtar, digjital dhe ai në fushën e mbrojtjes mes Turqisë dhe Estonisë do të përparojë.

Kurse për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe partneritetin mes dy vendeve në NATO, ministra Liimets bëri këtë vlerësim: “Estonia dhe Turqia janë dy aleate shumë të mira në NATO. Ne e shohim Turqinë si një aleate shumë të aftë e të mirë që i kupton shumë mirë shqetësimet tona të sigurisë.”

Shefja e diplomacisë estone u shpreh thellësisht e shqetësuar për rritjen e përqendrimit ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës.

“Ne duhet të bashkëpunojmë për të ndihmuar në zbutjen e situatës aktuale. Sepse ky është me të vërtetë një rrezik sigurie jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën. Pasi një luftë e re në Evropë është absolutisht e papranueshme”, theksoi ajo.

Më tej, Liimets tërhoqi vëmendjen se vendndodhja gjeografike e Turqisë është në udhëkryqin e krizës së emigracionit.

“Ne e vlerësojmë me të vërtetë shumë qasjen që ka në lidhje me këtë çështje Turqia, e cila pret miliona refugjatë në territorin e saj”, potencoi ministrja estone e Punëve të Jashtme.

Duke vënë në pah se Estonia është gjithmonë në favor të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Eva-Maria Liimets tha se shpresojnë që Turqia, si vend kandidat, të përparojë me reforma në drejtim të anëtarësimit në Union.

Në kuadër të kontakteve të saj në Turqi, kryediplomatja estone u takua edhe me qytetarë sirianë të akomoduar në Qendrën e Strehimit të Përkohshëm në rrethin Sariçam të provincës jugore Adana.

Liimets u takua gjithashtu me kajmekamin e rrethit Sariçam, Mufit Gultekin, njëherësh përgjegjës i qendrës së strehimit në fjalë, nga i cili u informua rreth sirianëve dhe kampit.

Ministrja e Jashtme estone falënderoi autoritetet turke për punën e mrekullueshme të kryer në Qendrën e Strehimit të Përkohshëm në Sariçam.



Lajme të ngjashme