BE-ja do të angazhohet me SHBA-në dhe NATO-n për propozimin rus për sigurinë evropiane

BE-ja mbështet marrëveshjen e sigurisë bazuar në mossulmimin, respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, thotë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

1751620
BE-ja do të angazhohet me SHBA-në dhe NATO-n për propozimin rus për sigurinë evropiane

BE-ja deklaroi se do të angazhohet me SHBA-në dhe NATO-n për të siguruar që interesat e saj të përfaqësohen në çdo diskutim të mundshëm me Rusinë për sigurinë evropiane, tha të mërkurën shefi i politikës së jashtme të bllokut.

Vërejtjet e Josep Borrell erdhën pasi NATO ofroi të zhvillonte një takim të Këshillit NATO-Rusi pasi Moska prezantoi dy projektmarrëveshje për sigurinë në Evropë.

Duke e cilësuar ofertën e NATO-s "një hap të rëndësishëm", Borrell përsëriti mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe tha se blloku ishte i përkushtuar ndaj sigurisë evropiane "bazuar në parimet kryesore të mossulmimit dhe respektimit të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial".

Ai akuzoi Rusinë se ka kontribuar në përkeqësimin e situatës së sigurisë në Evropë duke aneksuar Krimenë dhe duke nxitur konfliktet në Ukrainën Lindore, në rajonet separatiste gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë si dhe duke mbështetur regjimin e Bjellorusisë.

Ai theksoi se BE-ja beson në dialog për të kapërcyer mosmarrëveshjet, por kujtoi se “çdo diskutim i vërtetë për sigurinë në Evropë duhet të ndërtohet dhe të forcojë angazhimet dhe detyrimet e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) dhe OKB-së.

Rusia kohët e fundit ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës. Ky veprim ka shkaktuar shqetësime midis aleatëve të NATO-s se Rusia mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik.

SHBA dhe aleatët e saj evropianë e akuzojnë Rusinë se po përpiqet të destabilizojë vendin duke ofruar mbështetje ushtarake për forcat separatiste në rajonet lindore të Ukrainës.

Sipas ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, Moska dhe Uashingtoni do të zhvillojnë konsultimet e para në janar.



Lajme të ngjashme