Gjermani – Socialdemokrati Olaf Scholz betohet si kancelar i ri i vendit

Olaf Scholz do të pasojë Angela Merkelin si kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, pasi fitoi votat e 395 prej 707 deputetëve të pranishëm në raundin e parë të votimit të fshehtë të mbajtur në Bundestag, nën drejtimin e kryeparlamentarit Baerbel Bas.

1744838
Gjermani – Socialdemokrati Olaf Scholz betohet si kancelar i ri i vendit

Në këtë votim, 303 deputetë votuan “kundër”, 6 abstenuan dhe 3 vota rezultuan të pavlefshme.

Partia Socialdemokrate (SPD) e tij, së bashku me Të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë (FDP), kanë 416 mandate në parlamentin e ri federal me 736 vende.

Scholz kishte nevojë për një shumicë prej 369 votash.

Ish-kancelarja Angela Merkel e ndoqi votimin nga tribuna, pasi nuk është deputete.

Politikani 63-vjeçar, i cili shërbeu si zëvendës i Merkelit dhe ministër i Financave në koalicionin e madh në largim, u prit edhe në Pallatin “Bellevue”, ku Presidenti Frank-Walter Steinmeier i Gjermanisë e emëroi atë edhe zyrtarisht. Më ai pas u kthye në Bundestag dhe bëri betimin si kancelar i ri i Gjermanisë duke i dhënë fund mandatit historik 16-vjeçar të pararendëses Merkel.

Kabineti i tij i qendrës së majtë, i përbërë nga 8 ministra dhe 8 ministre, do të jetë koalicioni i parë i këtij lloji në nivel federal në Gjermani.

Sipas protokollit postelektoral mes SPD-së, Të Gjelbërve dhe FDP-së për qeverinë e koalicionit, shtetësia e dyfishtë dhe lejeqëndrimi pa afat në vend do të lehtësohen, si dhe do t'u jepet mbështetje mbrojtëse objekteve të kultit që u përkasin myslimanëve. Fëmijët e lindur nga prindër të huaj në Gjermani do mund të marrin nënshtetësinë gjermane me kusht që njëri prej prindërve të jetë rezident ligjor i vendit për 5 vjet. Niveli i gjuhës së kërkuar në lidhje me shtetësinë për gjeneratën e parë të punëtorëve mysafirë që kanë shkuar në Gjermani, do të ulet dhe natyralizimi i këtyre personave do të lehtësohet.

Duke marrë parasysh jetesën e myslimanëve në Gjermani, marrëveshja në fjalë thekson gjithashtu se do të mbështeten diversiteti i jetesës dhe shoqatat rinore të myslimanëve, do të sigurohen mbrojtje dhe parandalim i gjithanshëm kundër kërcënimit në rritje ndaj myslimanëve dhe institucioneve të tyre, si dhe do të inkurajohet bashkëpunimi ndërmjet bashkësive fetare.

Protokolli nënvizon edhe se paga minimale do të rritet në 12 euro/orë (nga 9,60 euro aktualisht), mosha për të votuar do të ulet në 16 vjeç (nga 18 aktualisht), do të zgjidhet problemi i banesave sidomos në qytetet e mëdha dhe se qeveria e re synon të ndërtojë 400 mijë shtëpi në vit për të frenuar rritjen e qirasë.

Marrëveshja për këtë koalicion qeverisës tripartiak vë në pah se Turqia do të vazhdojë të jetë një fqinj i rëndësishëm i Bashkimit Evropian dhe një partner i NATO-s pavarësisht tensioneve në politikën e jashtme. Protokolli nënvizon se fakti që shumë turq jetojnë në Gjermani krijon një afërsi të veçantë mes të dy vendeve dhe se dialogu BE-Turqi do të vazhdojë duke zhvilluar programe për shoqërinë civile dhe shkëmbimin e të rinjve.

Olaf Scholz ishte ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në vitet 2007-2009, kancelar i Hamburgut në 2011-2018 dhe zëvendëskancelar e ministër i Financave në 2018-2021.



Lajme të ngjashme