Josep Borrell: Jemi shumë prapa fuqive të mëdha në teknologjinë e mbrojtjes

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi të martën se Unioni ka mbetur prapa fuqive të mëdha në fushën e teknologjisë së mbrojtjes.

1744212
Josep Borrell: Jemi shumë prapa fuqive të mëdha në teknologjinë e mbrojtjes

Ky pohim i kryediplomatit evropian erdhi gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA) me temë “Inovacioni në Mbrojtjen Evropiane”, mbajtur në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

Ai paralajmëroi se pa investime të rëndësishme për të integruar teknologjitë më të avancuara në sistemet evropiane të mbrojtjes, blloku do të humbasë ndërveprueshmërinë me partnerët e tij dhe avantazhet ndaj konkurrentëve të tij.

“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër së bashku si shtete anëtare të BE-së dhe duhet ta bëjmë tani. Ose do të investojmë shumë në inovacionin e mbrojtjes ose do të mbetemi jashtë loje”, u shpreh përfaqësuesi i lartë evropian.

Josep Borrell theksoi se teknikat e reja, të tilla si inteligjenca artificiale, ndryshuan karakterin e luftërave.

“Fuqitë e mëdha po zhvillojnë dhe funksionalizojnë me shpejtësi teknologji të tilla të reja për qëllime ushtarake”, shtoi ai.

“Inovacioni po trajtëson balancën globale të fuqisë”, tha Borrell duke nënvizuar se BE-ja dhe vendet anëtare të saj kanë mbetur shumë prapa aktorëve të tjerë globalë në shpenzimet e inovacionit të mbrojtjes dhe se hendeku mes Unionit dhe aktorëve në fjalë është rritur.

Sipas të dhënave të fundit të EDA-së – vijoi shefi i diplomacisë evropiane – shtetet anëtare të Unionit shpenzuan 2,5 miliardë euro në fushën e kërkimeve dhe teknologjive në vitin 2020, shumë kjo që korrespondon me 1,2% të totalit të shpenzimeve të tyre të mbrojtjes.

“Vitin e kaluar, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan 14 miliardë euro (15,8 milionë dollarë) për inovacionin e mbrojtjes, 14 herë më shumë sesa investuan shtetet anëtare të BE-së”, shpjegoi ai.

Borrell tha gjithashtu se inovacioni civil ka një ndikim të madh në mbrojtje, sidomos në fushën kibernetike, duke vënë në pah se gjiganti i teknologjisë “Alphabet/Google” ka shpenzuar 10 herë më shumë në kërkime dhe inovacione sesa të gjitha ministritë e mbrojtjes së BE-së të marra së bashku në vitin 2020.

Zyrtari i lartë evropian potencoi se Busulla Strategjike, dokumenti i ri që ai vetë ka përgatitur për autonominë ushtarake të Bashkimit Evropian, ofron një zgjidhje për këto probleme.

Ky udhërrëfyes, paraqitur ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes së BE-së muajin e kaluar, parashtron propozime dhe afate konkrete për forcimin e mbrojtjes së Unionit, të tilla si ngritja e një force të përbashkët evropiane me 5.000 trupa të dislokueshme me shpejtësi, investimi në kapacitetet industriale dhe sigurimi i BE-së kundër sulmeve kibernetike.

Dokumenti përfundimtar pritet të miratohet në mars 2022.

Bazuar në mësimet nga luftërat jugosllave, ideja e reformimit dhe forcimit të politikës së mbrojtjes dhe sigurisë së bllokut ka qenë në tryezë që nga mesi i viteve 1990.

Megjithatë shtetet anëtare të BE-së nuk kanë qenë në gjendje të avancojnë në këtë politikë për shkak të ndjeshmërisë së lartë të temës dhe interesave të ndryshme.



Lajme të ngjashme