Irani teston sistemin e mbrojtjes ajrore mes tensioneve me Perëndimin dhe Izraelin

Zyrtarët iranianë të sigurisë thonë se kanë lëshuar në qiell raketa për të testuar gatishmërinë e sistemit të mbrojtjes ajrore.

1743087
Irani teston sistemin e mbrojtjes ajrore mes tensioneve me Perëndimin dhe Izraelin

Njësitë e mbrojtjes ajrore të Iranit lëshuan të shtunën një raketë mbi objektin bërthamor Natanz në provincën qendrore të Isfahanit për të testuar sistemin e mbrojtjes së shpejtë raketore, thanë zyrtarët.

Ky ka qenë edhe shkaku i shpërthimit që u dëgjua në rajon rreth orës 21:00, duke krijuar panik dhe frikë.

“Nour News”, një agjenci lajmesh e lidhur me organin më të lartë të sigurisë së vendit, tha se shpërthimi ishte rezultat i një rakete mbrojtëse të lëshuar në qiell "me qëllim të testimit të reagimit të shpejtë ndaj një sulmi të mundshëm".

Zyrtarët e sigurisë, duke folur për televizionin shtetëror, thanë se incidenti ishte për shkak të "shpërthimit të kontrolluar" të një rakete të lëshuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore.

Incidenti ndodhi në zonën Badroud të qytetit Natanz në provincën qendrore të Isfahanit, rreth 20 km nga objekti kryesor bërthamor i vendit, i cili ka pasur shumë sulme sabotazhi në të kaluarën.

Komandanti i mbrojtjes ajrore në Natanz u citua të ketë thënë nga media shtetërore se një raketë është lëshuar për të "vlerësuar gatishmërinë" e sistemeve të mbrojtjes ajrore, duke shtuar se nuk ka "asgjë për t'u shqetësuar".

Ai tha se ushtrime të tilla bëhen në një "mjedis plotësisht të sigurt dhe në koordinim të plotë me rrjetin e integruar të mbrojtjes që synon të vlerësojë sistemet ushtarake që janë dislokuar në zonë".

Në median iraniane ishin publikuar lajme për një shpërthim të fuqishëm afër impiantit të pasurimit të uraniumit në Natanz, objekt që më herët ishte përballur me dy sulme sabotimi.

Ndërsa agjencia iraniane e lajmeve “Fars” njoftoi asgjësimin e një droni, “Nour News”, një agjenci lajmesh e lidhur me organin më të lartë të sigurisë së vendit, kishte bërë të ditur se shpërthimi ishte rezultat i një rakete mbrojtëse të lëshuar në qiell "me qëllim të testimit të reagimit të shpejtë ndaj një sulmi të mundshëm".

Testi i raketës vjen në mes të tensioneve të rritura midis Iranit dhe Perëndimit mbi bllokimin e marrëveshjes bërthamore. Raundi i fundit i bisedimeve në Vjenë u shty të premten pa ndonjë përparim të rëndësishëm.

Palët e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 pritet të mblidhen sërish javën e ardhshme për të diskutuar dy projektpropozimet e Iranit për heqjen e sanksioneve dhe angazhimet bërthamore.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar të eksplorojnë "opsione të tjera" nëse bisedimet në Vjenë dështojnë të japin një rezultat.

Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë u kanë bërë thirrje fuqive botërore që të ndërpresin menjëherë bisedimet bërthamore me Iranin, duke pretenduar se Teherani e ka rritur pasurimin e tij bërthamor.

Irani në shumë raste në të kaluarën e ka akuzuar Izraelin për kryerjen e akteve sabotuese në objektet e tij bërthamore, duke përfshirë Natanzin, dhe për vrasjen e shkencëtarëve kryesorë të tij bërthamorë.



Lajme të ngjashme