Çavusoglu: Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet me diplomaci

Në fjalën drejtuar Këshillit Ministror të OSBE-së kryediplomati turk njoftoi pandryshueshmërinë e qëndrimit të Ankarasë lidhur me zgjidhjen paqësore të konflikteve.

1742153
Çavusoglu: Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet me diplomaci

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlut Çavuşoğlu) tha se kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet diplomatikisht, në përputhje me marrëveshjet e Minskut dhe ligjin ndërkombëtar.

Këtë deklaratë kreu i diplomacisë e bëri gjatë fjalimit të tij në Takimin e 28-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (Këshilli Ministror i OSBE-së) në Stokholm.

“Sot kemi një dritare mundësie për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në Kaukazin e Jugut. Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut [Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës-ShBA] së bashku me anëtarët e përhershëm të këtij grupi [Bjellorusia, Gjermania, Italia, Portugalia, Holanda, Suedia, Finlanda, Turqia dhe Azerbajxhani me Armeninë që janë edhe palët e problemit] mund të kontribuojnë me realitete të reja. Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet me diplomaci. Respektimi i marrëveshjeve të Minskut dhe të drejtës ndërkombëtare është një çështje e rëndësishme. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të tartarëve të Krimesë”, tha Çavushollu.

Çavushollu vuri në dukje se problemet në gjeografinë e OSBE-së duhet të zgjidhen në mënyrë efektive dhe paqësore.

Ai vuri në dukje se është e nevojshme të vazhdohet me mbështetjen e përpjekjeve për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në Gjeorgji dhe Moldavi.

Duke nënvizuar dy çështjet që kërcënojnë vlerat e përbashkëta, Çavushollu tha: “Së pari; rritja e ksenofobisë, islamofobisë dhe antisemitizmit vazhdon në vende të ndryshme të OSBE-së. Ne nuk mund t'i injorojmë këto tendenca të rrezikshme. Së dyti; duke i lejuar organizatat terroriste të marrin pjesë në takime humanitare, po injorohen rregullat e miratuara unanimisht. Kjo është në kundërshtim me Konventën e Helsinkit të vitit 1992 dhe marrëveshjet e tjera”.

Ministri turk në fund falënderoi Suedinë, kryetaren e radhës së OSBE-së, për ftesën e Organizatës së Shteteve Turqishtofolëse në takimin ministror. Ai tregoi se pjesëmarrja e Organizatës do të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta të OSBE-së.



Lajme të ngjashme