SHBA: Jemi në garë armatimi hipersonik me Kinën

Një zyrtar i lartë ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pohuar se vendi i tij është në një garë të vazhdueshme armatimi hipersonik me Kinën.

1741340
SHBA: Jemi në garë armatimi hipersonik me Kinën

Frank Kendall, sekretari i Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara, deklaroi gjatë një prononcimi për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters” se ka një garë armatimesh midis Uashingtonit dhe Pekinit, jo për rritjen e numrit, por për rritjen e cilësisë së armatimeve dhe se kjo garë vazhdon prej një kohë të gjatë.

Kendall pretendoi gjithashtu se kinezët po sillen në mënyrë shumë agresive në garën e armatimeve dhe se amerikanët nuk janë duke bërë mjaftueshëm përballë kësaj sjelljeje.

Raportet në mediat amerikane për një test hipersonik të kryer nga Kina gjatë muajve të verës shkaktuan jo pak zemërim në Pentagon (Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së).

Një gjeneral i lartë i Forcave Hapësinore të SHBA-së pati deklaruar pak kohë më parë se vendi i tij është shumë prapa Kinës dhe Rusisë kur bëhet fjalë për armët hipersonike.

“Ne s'jemi aq të avancuar sa kinezët apo rusët për sa u takon programeve hipersonike. Por ne po përpiqemi t'i arrijmë shpejt”, qe shprehur gjenerali i Forcave Hapësinore të SHBA-së, David Thompson.

Për të njëjtën gjë pati bërë një aluzion të hapur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

“Pavarësisht qëndrueshmërisë së infrastrukturës sonë dhe fuqisë që ne posedojmë në inovacion, më duhet të them se ne mund të bëjmë më mirë. Ne jemi duke mbetur prapa nivelit që kishim dikur. Rivalët tanë (referim për Kinën dhe Rusinë) po e mbyllin hendekun ngadalë, por me hapa të sigurta. Ata janë madje para nesh në disa fusha. Nëse ky trend vazhdon, ne do të jemi më pak konkurrues në një botë më konkurruese”, pati thënë kryediplomati amerikan gjatë një fjalimi në Universitetin e Merilendit, në gusht të këtij viti.



Lajme të ngjashme