ShBA do të dislokojë trupa të përhershme në disa ishuj të Paqësorit
Pentagoni ka përfunduar inspektimet në lidhje dislokimin e trupave amerikane në botë dhe ka përgatitur një raport me rekomandime për Presidentin Biden.

Menjëherë pas marrjes së detyrës Presidenti Joe Biden kishte kërkuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) të rishikonte dislokimin e trupave amerikane në perspektivë globale. Dhe Pentagoni i ka përfunduar inspektimet në lidhje me këtë çështje dhe ka përgatitur edhe një raport për presidentin.
Një zyrtar i lartë Pentagonit në një prononcim për gazetarët tha se Rishikimi i Dislokimit Global kishte në fokus praninë ushtarake të ShBA së në rajonin e Indo-Paqësorit dhe konkurrencën me Kinën, ndërsa shtoi se ShBA-ja krahas Australisë do të vendosë forca të përhershme në disa ishuj në Paqësor.
Zyrtari sqaroi se vazhdon puna për dislokimet e reja në rajonin e Paqësorit në dritën e raportit mbi “Rishikimin e Dislokimit Global” dhe në të ardhmen do të ketë dërgesa të reja shtesë për në Evropë.
Pasi rikujtoi se presidenti Joe Biden e ka anuluar vendimin e pararendësit të tij Donald Trump për reduktimin e numrit të ushtarëve amerikanë në Gjermani në 25 mijë, zyrtari i Pentagonit tha se Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin mbështetur në gjetjet e para të inspektimit ka urdhëruar vendosjen në këtë vend të një njësie me 500 ushtarë, një forcë që do të ketë në përbërjen e vet një numër të caktuar helikopterësh dhe do të jetë e pajisur me aftësi mbrojtëse.
Nisur nga rekomandimet e raportit, disa prej sistemeve të mbrojtjes kundëraketore dhe forca detare amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme janë zhvendosur në Evropë dhe Paqësor,- u shpreh zyrtari i Pentagonit dhe shtoi se raporti rekomandon gjithashtu që të sigurohet forca e nevojshme shkëshilluese (parandaluese) kundër Iranit dhe që të mbështetet lufta kundër DAESH-it.
Zyrtari i Pentagonit tha se ata janë ende duke vlerësuar praninë e ShBA-së në Lindjen e Mesme dhe Afrikë dhe mund të vazhdojë zhvendosja e trupave nga këto zona drejt rajoneve të tjera.