Republika më e re në botë: Barbados

Barbadosi, ishull i Karaibeve deri tani nën juridiksionin britanik dhe të Mbretëreshës Elizabetë II, shpalli krijimin e republikës teksa presidente u zgjodh ish-guvernatorja e përgjithshme, Dame Sandra Mason.

1740793
Republika më e re në botë: Barbados

Lidhjet e Barbadosit me monarkinë britanike u ndërprenë kur Presidentja Mason u betua në detyrë duke zëvendësuar kështu Mbretëreshën Elizabetë II si kryetare e shtetit, gjatë një ceremonie në kryeqytetin Brixhtaun.

Në një mesazh drejtuar presidentes dhe popullit të Barbadosit, Elizabeta II i përcolli republikës së re “urimet më të ngrohta për lumturinë, paqen dhe prosperitetin në të ardhmen” dhe lavdëroi kombin që ka një “vend të veçantë” në zemrën e saj për “kulturën e gjallë, aftësinë në sporte dhe bukuritë natyrore”.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, tha se vendi i tij dhe Barbadosi do të mbeten “miq dhe aleatë të palëkundur me një partneritet të qëndrueshëm”.

I pranishëm në ceremoni ishte gjithashtu Princi Çarls i Uellsit, i cili përcolli edhe momentin simbolik teksa flamuri i mbretëreshës Elizabetë II u ul përfundimisht dhe flamuri presidencial u ngrit në vend të tij, sot më 30 nëntor, në 55-vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe.

Princi Çarls u tha të ftuarve në ceremoni, ku spikatën veçanërisht Kryeministrja e Barbadosit, Mia Motli dhe këngëtarja e famshme Rihana, me origjinë nga ishull i Karaibeve, se “krijimi i kësaj republike ofron një fillim të ri, por gjithashtu shënon një pikë në vazhdimësi dhe një moment historik”.

Duke folur si i ftuar nderi në ceremoni, trashëgimtari i parë i fronit të Mbretërisë së Bashkuar pranoi “mizoritë e tmerrshme të skllavërisë”, ndaj të cilave ka qenë i ekspozuar ky ishull i Karaibeve.

Ai theksoi se lidhjet mes dy vendeve vazhdojnë pavarësisht ndryshimit të statusit kushtetues.

Në deklaratën e saj më 16 shtator 2020 si Guvernatore e Përgjithshme e Barbadosit, Dame Sandra Mason shprehu aspiratën e vendit për t'i dhënë fund njohjes së Mbretëreshës Elizabetë II si kryetare e shtetit dhe për t'u bërë republikë në vitin 2021.

Barbadosi, i cili e ka shpallur pavarësinë nga Anglia më 30 nëntor 1996, ishte “de fakto” i pavarur që nga viti 1956, por sundimtarja britanike vazhdoi të ishte kryetare e shtetit.

Me një popullsi prej rreth 285 mijë banorësh, Barbadosi është kthyer në një nga ishujt më të pasur të rajonit me risitë e tij në turizëm dhe financa.

Nga kolonitë e tjera britanike në rajonin e Karaibeve, Guajana e ka shpallur pavarësinë në vitin 1970, Trinidad dhe Tobago më 1976-n dhe Dominika në 1978-n.



Lajme të ngjashme