Gjermani – Marrëveshje tripartiake për qeverinë e koalicionit

Tri forcat politike që do të formojnë qeverinë e ardhshme në Gjermani, Partia Socialdemokrate (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), njoftuan të mërkurën arritjen e një koalicioni.

1738590
Gjermani – Marrëveshje tripartiake për qeverinë e koalicionit

Sipas protokollit mes palëve, shtetësia e dyfishtë dhe lejeqëndrimi pa afat në vend do të lehtësohen, si dhe do t'u jepet mbështetje mbrojtëse objekteve të kultit që u përkasin myslimanëve. Fëmijët e lindur nga prindër të huaj në Gjermani do mund të marrin nënshtetësinë gjermane me kusht që njëri prej prindërve të jetë rezident ligjor i vendit për 5 vjet. Niveli i gjuhës së kërkuar në lidhje me shtetësinë për gjeneratën e parë të punëtorëve mysafirë që kanë shkuar në Gjermani, do të ulet dhe natyralizimi i këtyre personave do të lehtësohet.

Duke marrë parasysh jetesën e myslimanëve në Gjermani, marrëveshja në fjalë thekson gjithashtu se do të mbështeten diversiteti i jetesës dhe shoqatat rinore të myslimanëve, do të sigurohen mbrojtje dhe parandalim i gjithanshëm kundër kërcënimit në rritje ndaj myslimanëve dhe institucioneve të tyre, si dhe do të inkurajohet bashkëpunimi ndërmjet bashkësive fetare.

Protokolli nënvizon edhe se paga minimale do të rritet në 12 euro/orë (nga 9,60 euro aktualisht), mosha për të votuar do të ulet në 16 vjeç (nga 18 aktualisht), do të zgjidhet problemi i banesave sidomos në qytetet e mëdha dhe se qeveria e re synon të ndërtojë 400 mijë shtëpi në vit për të frenuar rritjen e qirasë.

Pasi vë në pah se Turqia do të vazhdojë të jetë një fqinj i rëndësishëm i Bashkimit Evropian dhe një partner i NATO-s pavarësisht tensioneve në politikën e jashtme, marrëveshja për këtë koalicion qeverisës tripartiak nënvizon se fakti që shumë turq jetojnë në Gjermani krijon një afërsi të veçantë mes të dy vendeve dhe se dialogu BE-Turqi do të vazhdojë duke zhvilluar programe për shoqërinë civile dhe shkëmbimin e të rinjve.

Ndërkaq, Olaf Scholz, i cili do të marrë postin e kancelarit në qeverinë e re gjermane, mbajti një konferencë shtypi në kryeqytetin Berlin të vendit për të prezantuar protokollin e koalicionit.

Ai bëri me dije se kjo qeveri federale quhet “koalicioni i semaforit” duke iu referuar ngjyrave simbol të forcave politike partnere të koalicionit (e kuqe-e verdhë-e gjelbër).

Kancelari i ardhshëm, i cili në qeverinë Merkel ka mbajtur postin e Ministrit të Financave, vlerësoi lart bashkëpunimin në negociata.

“Ne punuam së bashku nga afër, në mënyrë të ngjeshur, ndonjëherë me pasion dhe besim. Mesazhi im më i rëndësishëm është se semafori tashmë është ndezur”, u shpreh ai.

“SPD-ja, Të Gjelbrit dhe FDP-ja janë zotuar që koalicioni të jetë me kushte të barabarta dhe palët të pranojnë njëri-tjetrin pavarësisht divergjencave që do kenë”, shtoi Olaf Scholz.

Pasi tha se palët kanë rënë dakord të çojnë më tej vaksinimet në vend, Scholz argumentoi se kjo është “zgjidhja e vetme për të dalë nga pandemia”.

Në bazë të marrëveshjes, FDP-ja merr 4 poste ministrore: Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Drejtësisë. Të Gjelbrit marrin 5 poste ministrore: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Çështjeve Ekonomike, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Familjes. Ndërsa SPD-ja merr 6 poste ministrore: Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministrinë e Kancelarisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Ndërtimit dhe Strehimit, si dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik.



Lajme të ngjashme