Ahmed Nasser al-Raisi nga Emiratet e Bashkuara Arabe zgjidhet president i INTERPOL-it

Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (ICPO-INTERPOL) njoftoi të enjten se gjenerali Ahmed Nasser al-Raisi nga Emiratet e Bashkuara Arabe është zgjedhur president i saj.

1738641
Ahmed Nasser al-Raisi nga Emiratet e Bashkuara Arabe zgjidhet president i INTERPOL-it

Një votim u mbajt për të zgjedhur kreun e ri të INTERPOL-it dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të tij në ditën e tretë të Takimit 89. të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, mbajtur në Qendrën e Kongreseve “Haliç” të Stambollit.

“Sipas rezultateve të zgjedhjeve, Al-Raisi do të shërbejë si president i INTERPOL-it për mandatin e ardhshëm katërvjeçar”, deklaroi trupi shumëkombësh me seli në Lion të Francës përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, i formuar nga 13 anëtarë duke përfshirë presidentin, 2 ndihmëspresidentët dhe 9 delegatë, përfaqëson katër rajonet e organizatës dhe mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme.

INTERPOL-i është një organizatë ndërkombëtare që lehtëson bashkëpunimin policor dhe kontrollin e krimit në të gjithë botën. Ai është organizata policore më e madhe në botë me 7 zyra rajonale anembanë globit dhe me nga një Byro Qendrore Kombëtare në të gjitha 195 shtetet anëtare.

Duke ofruar mbështetje hetimore, ekspertizë dhe trajnim për zbatimin e ligjit kudo në botë, INTERPOL-i përqendrohet në 3 fusha kryesore të krimit ndërkufitar: terrorizmi, krimet kibernetike dhe krimi i organizuar.



Lajme të ngjashme