Analiza e javës – Atentati ndaj kryeministrit irakian

Vlerësimi i akademikut, Can Acun, studiues i politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara në lidhje me atentatin mbi kryeministrin irakian të kryer me dronë të armatosur.

1732811
Analiza e javës – Atentati ndaj kryeministrit irakian

Analiza e javës – Atentat mbi Kryeministrin irakian

Rezidenca e kryeministrit irakian Mustafa Al-Qasimi u sulmua me një dron të armatosur. Sipas burimeve të sigurisë, rezidenca që ndodhet në zonën e mbrojtur të gjelbër të Bagdadit ishte shënjestruar me 3 dronë. Rezidenca është dëmtuar rëndë, ndërsa Kryeministri Qasimi ka shpëtuar i palënduar. Sulmi vjen menjëherë pasi milicitë e armatosura të afërta me Iranin kërcënuan Kryeministrin, ndërsa sytë janë kthyer nga një konflikt i mundshëm civil. Ndërsa kaosi politik dhe paqëndrueshmëria në Irak përshkallëzohen hap pas hapi pas zgjedhjeve, duket se milicitë shiite të mbështetura nga Irani, veçanërisht ato të mundura në zgjedhje, kanë filluar të përdorin forcat e tyre ushtarake në terren. Hallka e fundit e këtij zinxhiri ishte shënjestrimi i rezidencës së Kryeministrit irakian Mustafa al-Qasimi me dronë të armatosur. Zyrtarët irakianë të sigurisë dhe burime pranë grupeve të armatosura pohuan se sulmi ndaj rezidencës së Kryeministrit Mustafa Al-Qasimi me dronë u krye nga një grup i armatosur i mbështetur nga Irani. Burimet, të cilat u prononcuan për mediat ndërkombëtare në kushte anonimiteti, thanë se dronët dhe eksplozivët e përdorura në sulm ishin të prodhimit iranian.

Sulmi ndaj Qasimit ka shkaktuar një reagim të madh në mbarë botën. Ndërkohë që shumë vende, përfshirë Turqinë, dënuan ashpër sulmin në fjalë, të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) publikuan një deklaratë me shkrim ku dënuan ashpër shënjestrimin e shtëpisë së Qasimit nga dronët e armatosur, duke thënë se ata që tentuan atentatin duhet të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë. Deklarata për shtyp u bëri thirrje të gjitha vendeve të bashkëpunojnë me qeverinë irakiane. Ndërsa Irani përpiqej për të mbushur vakumin e pushtetit të krijuar nga tërheqja graduale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Iraku, strukturat nacionaliste irakiane u përpoqën të parandalonin këtë pushtim iranian, veçanërisht lëvizjen e Muqtada Al-Sadr. Duket se elementët Hashdi Shabi të afërta me Iranin nuk mund të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, ku koalicioni i Sadr-it fitoi dhe sunitë morën vota të larta. Për të kompensuar këtë situatë në të cilën kanë rënë në politikë, ata përdorin armët që kanë në dorë. Këto struktura, të cilat janë të vendosura në shumë lokacione, veçanërisht në Bagdad, kërcënojnë Qasimin dhe ushtrinë irakiane. Iraku po përjeton një luftë serioze për pushtet që përfshin edhe Iranin. Vendi duhet të formojë një fuqi të re politike sa më shpejt të jetë e mundur dhe ushtria qendrore duhet të çarmatosë milicinë e Hashdi Shabi. Përndryshe, konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë civile.

Autor: Cann ACUN



Lajme të ngjashme