Algjeria i kërkon AFP-së të ndërpresë menjëherë "fushatën armiqësore”

Abdulmexhid Shejhi, këshilltar i presidentit algjerian, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron për Algjerinë.

1726254
Algjeria i kërkon AFP-së të ndërpresë menjëherë "fushatën armiqësore”

Abdulmexhid Shejhi, këshilltar i presidentit algjerian, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron për Algjerinë.

Shejhi foli në konferencën e mbajtur në Këshillin Kombëtar, dhoma e lartë e parlamentit algjerian, me rastin e 67-vjetorit të shpërthimit të Revolucionit të 1 Nëntorit 1954 [kundër kolonializmit francez].

“Këto ditë nga pala tjetër [Franca] kemi një shtim të pëllitjeve se ne nuk qenkemi një komb. Sikur ne jemi flluska uji që janë shfaqur papritmas në tokë",- reagoi këshilltari Shejhi.

Kurse Kryetari i Këshillit Kombëtar, Salih Guxhil, nga ana e tij tha se Franca deshi ta zhdukte popullin algjerian dhe ta zëvendësonte atë me një popull evropian.

“Qëllimi i këtij plani kolonial ishte pushtimi i Algjerisë. Rritja demografike e popullsisë algjeriane dëshmon ekzistencën e këtij plani”,-vlerësoi Guxhil.

Ndërkohë, Algjeria i ka bërë thirrje agjencisë franceze të lajmeve AFP [Agence France-Presse] që t’i japë fund menjëherë "fushatës së saj armiqësore plot urrejtje" kundër vendit, duke kërcënuar se në rast të kundërt nuk do të rinovojë akreditimin e kësaj agjencie dhe do ta ndalojë atë të punojë në Algjeri.

Në një deklaratë, Ministria algjeriane e Komunikimit tha se “agjencia franceze e lajmeve (AFP) e ka vazhduar qëndrimin e saj armiqësor ndaj Algjerisë dhe është larg besueshmërisë e objektivitetit”.

Agjencia franceze kishte publikuar të martën një lajm mbi migrimin e parregullt nga Algjeria në Spanjë, me titullin "Nga Algjeria në Spanjë, "harraga" (migrantët) të gatshëm të vdesin në det për të mos qëndruar në vend".

“Agjencia është shndërruar në një zëdhënëse të institucioneve zyrtare dhe lobeve të informacionit që ushqejnë urrejtje ndaj Algjerisë. Artikujt me informacione të rreme dhe dezinformatat e shpërndara nga kjo agjenci për qëllime shkatërruese, si dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme për të prishur imazhin e Algjerisë dhe për të dëmtuar reputacionin e saj, janë të gjitha prova më e mirë që tregojnë orientimin e saj të dyshimtë që nuk ka të bëjë me gazetarinë", thekson ministria algjeriane në komunikatën e saj.

"Ne kërkojmë që agjencia franceze e lajmeve t’i japë fund menjëherë fushatës së saj armiqësore të mbushur plot urrejtje kundër Algjerisë. Në rast të kundërt do të zbatohet ligji për mosrinovimin e akreditimit dhe për ndalimin e saj për të punuar në çfarëdolloj forme në Algjeri", vijon komunikata e Ministrisë në paragrafin lidhur me atë çfarë kërkohet me vendosmëri nga AFP-ja.

Në përgjigje të fjalëve të presidentit francez Emmanuel Macron të botuara në gazetën “Le Monde” më 2 tetor, sipas të cilave Algjeria e ka ndërtuar historinë e saj koloniale mbi urrejtjen ndaj Francës, qeveria algjeriane njoftoi të dielën më 3 tetor se ajo e kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionë ushtarakë francezë.

“Interpretimet e Macron-it janë një fyerje e papranueshme për kujtimin e 5 milionë e 630 mijë dëshmorëve që sakrifikuan jetën e tyre në rezistencën e guximshme kundër kolonializmit francez (midis viteve 1830 dhe 1962)”, kishte thënë presidenca algjeriane në një deklaratë.



Lajme të ngjashme