BE-ja dhe Gjermania reagojnë kundër tentativës për grusht shteti në Sudan

Bashkimi Evropian deklaroi të hënën se po i ndjek me shqetësim të madh ngjarjet në Sudan, ndërsa Gjermania bëri thirrje për ndaljen e tentativës për grusht shteti.

1724678
BE-ja dhe Gjermania reagojnë kundër tentativës për grusht shteti në Sudan

“Ne po i ndjekim me shqetësim të madh ngjarjet që vazhdojnë në Sudan. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara dhe partnerëve rajonalë që ta rikthejnë procesin e tranzicionit në binarë”, tha Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, përmes një postimi nga llogaria e tij në rrjetin social “Twitter”.

Rreth zhvillimeve në Sudan reagoi gjithashtu ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

“Lajmet për një tjetër tentativë për grusht shteti në Sudan janë të tmerrshme dhe duhet të dënohen qartë. Unë u bëj thirrje të gjitha autoriteteve përgjegjëse për sigurinë dhe rendin shtetëror në Sudan që të vazhdojnë tranzicionin politik paqësor drejt demokracisë dhe të respektojnë vullnetin e popullit”, vlerësoi ai nëpërmjet një deklarate me shkrim.

“Kjo përpjekje për grusht shteti duhet të ndalet menjëherë”, theksoi Heiko Maas duke bërë thirrje për dialog paqësor dhe për t'i dhënë fund diktaturës.

Një grup ushtarësh në Sudan arrestuan mëngjesin e sotëm Kryeministrin Abdalla Hamdok dhe udhëheqësit e forcave politike partnere të qeverisë së koalicionit. Pas këtyre zhvillimeve, mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e kryeqytetit të vendit për të protestuar përpjekjen e ushtrisë për të marrë pushtetin me forcë. Shumë nga demonstruesit dogjën goma makinash në disa rrugë për të bllokuar trafikun.



Lajme të ngjashme