Iran – Presidenti Ebrahim Raisi emëron këshilltar një kurd sunit

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, emëroi dr. Abdul Salam Karimi, sunit me origjinë kurde, në postin e Këshilltarit Presidencial për Çështjet e Pakicave Etnike dhe Fetare.

1721056
Iran – Presidenti Ebrahim Raisi emëron këshilltar një kurd sunit

Sipas deklaratës së bërë nga Presidenca e Iranit, Ebrahim Raisi ka caktuar Abdul Salam Karimin, i lindur në Sanandaj, si këshilltar të tij.

I lindur në qytetin Sanandaj, në vitin 1967, Karimi është doktor shkencash në gjuhën dhe letërsinë arabe. Ai ka shërbyer në disa poste të rëndësishme shtetërore si nënprefekt, rektor dhe së fundmi si drejtor i Qendrës së Imam Shafiiut për Specializim në Shkencave Islame në Sanandaj.

Molavi Abdolhamid Ismaeelzahi, i konsideruar si lideri shpirtëror i popullatës sunite të Iranit, pati deklaruar mbështetjen e tij për Raisin në zgjedhjet e fundit presidenciale. Burimet presidenciale iraniane bëjnë me dije se pas fitores në zgjedhje, Raisi i telefonoi dijetarit sunit dhe “i premtoi atij se do të punonte me drejtësi dhe për eliminimin e pabarazisë dhe diskriminimit”.

Përpara zgjedhjeve, Këshilli Iranian i Mendimit të Përbashkët të Ehli Sunetit njoftoi përmes një komunikate të shkruar se mbështetja e Raisit konsiderohej e përshtatshme. Po ashtu Grupi i Ehli Sunetit, i cili përfaqësohet nga 16 deputetë në Parlamentin iranian, bëri me dije më 13 qershor se do të mbështeste kandidatin konservator Ebrahim Raisi.

Sipas shifrave jozyrtare, rreth 15 milionë qytetarë të Iranit, shtet me një popullsi prej gati 83 milionë banorësh, janë ndjekës të Ehli Sunetit.

Edhe pse sunitët në Iran kërkojnë hera-herës që t'u jepen të drejtat e tyre kushtetuese, vlen të theksohet se shteti nuk i merr parasysh këto kërkesa.



Lajme të ngjashme