Tokio tronditet nga një tërmet me madhësi 5,9 ballë

Një tërmet me madhësi 5,9 ballë sipas shkallës Rihter ka rënë në verilindje të Tokios, me pasojë deri tani 32 të plagosur.

1716698
Tokio tronditet nga një tërmet me madhësi 5,9 ballë

Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA), tërmeti u regjistrua në prefekturën Chiba, në verilindje të rajonit metropolitan të Tokios.

 

Tërmeti me magnitudë 5,9 ballë ka ndodhur në orën 22:41 me orën lokale në një thellësi prej 80 kilometrash.

Agjencia e rishikoi shkallën e tërmetit në 5,9 ballë, të cilën më parë e kishte njoftuar 6,1 ballë.

Tërmeti është ndier gjithashtu në Tokio dhe prefekturat Kanagawa dhe Saitama.

Pas tërmetit agjencia JMA nuk dha paralajmërim për cunami, ndërsa njoftoi se është tërmeti më i fuqishëm që është ndier në metropolin e kryeqytetit, pas tërmetit 9 ballë që goditi verilindjen e vendit në mars 2011.

Agjencia gjithashtu paralajmëroi se lëkundje të tjera të shkallës së njëjtë mund të vazhdojnë, duke paralajmëruar për kujdes ndaj rrëzimeve të shkëmbinjve dhe rrëshqitjeve të tokës.

Nga ana tjetër, agjencia e lajmeve “Kyodo”, transmetoi se si pasojë e tërmetit në Tokio dhe prefekturat përreth janë lënduar 32 persona; Agjencia për Menaxhimin e Zjarrit dhe Fatkeqësive njoftoi se gjendja e 3 të lënduarve është e rëndë.

Gjithashtu shërbimet lokale të trenave, që u ndalën në metropolin e kryeqytetit për shkak të tërmetit, kanë ndikuar 368 mijë pasagjerë, kurse në Tokio rreth 250 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

 


Lajme të ngjashme