Austri – Kancelari Sebastian Kurz në hetim për ryshfet, korrupsion dhe mashtrim të publikut

Zyra e Prokurorisë së Austrisë kundër Krimeve Financiare dhe Korrupsionit nisi një hetim ndaj Kancelarit Sebastian Kurz dhe kolegëve të tij të ngushtë me dyshimin për ryshfet, korrupsion dhe mashtrim të publikut.

1716344
Austri – Kancelari Sebastian Kurz në hetim për ryshfet, korrupsion dhe mashtrim të publikut

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës filluan të zbardhen detajet e bastisjeve policore në Kancelari, në ambientet e Ministrisë së Financave dhe në selinë e Partisë Popullore Austriake (ÖVP), partnere kryesore e qeverisë së udhëhequr nga Sebastian Kurz.

“Sebastian Kurz dhe nëntë të dyshuar të tjerë, si edhe tri organizata, po hetohen për vepra të ndryshme që lidhen me këtë rast”, tha Prokuroria në një deklaratë.

Agjencia Austriake e Lajmeve (APA), e cila ka arritur të sigurojë një kopje të dosjes së hetimit nga Zyra e Prokurorisë së Austrisë kundër Krimeve Financiare dhe Korrupsionit, raportoi se “midis viteve 2016 dhe 2018, burimet nga Ministria (e Financave) u përdorën për të financuar sondazhe të opinionit pjesërisht të manipuluara, të cilat i shërbenin një interesi politik ekskluzivisht partiak”.

Kurz nuk ishte ende kancelar në atë kohë, por merrte pjesë në qeveri.

Sipas prokurorëve, një grup mediatik “mori pagesa” në këmbim të publikimit të sondazheve të popullaritetit.

Kompania në fjalë u identifikua gjerësisht në mediat austriake si gazeta “Österreich”.

Sebastian Kurz tashmë është nën hetim për deklarime të rreme nga një komision parlamentar për korrupsionin, por nuk është akuzuar ende deri më tani.

Presidenti Alexander Van der Bellen, në deklaratën e tij pas këtyre zhvillimeve, tha se vendi po dëshmonte ngjarje të pazakonta dhe tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e mos ndërhyrjes në drejtësi.

Van der Bellen gjithashtu reagoi ndaj deklaratave të një deputeti të ÖVP-së se zyra e prokurorit që kryente hetimin, “po shfaqte një qëndrim politik”, duke nënvizuar se deklaratat e lartpërmendura i kalojnë kufijtë dhe se vlera të tilla si ndarja e pushteteve dhe shteti ligjor përbëjnë themelet e demokracisë së vendit.

Ndërsa vetë Kancelari Kurz, i cili ndodhet aktualisht jashtë Austrisë, i mohoi akuzat e cituara si motiv për hetimin.



Lajme të ngjashme