Gjermani – Socialdemokratët ftojnë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë për bisedime koalicioni

Partia Socialdemokrate (SPD), fituese e zgjedhjeve të mbajtura më 26 shtator për të formuar Legjislaturën 20. të Bundestagut në Gjermani, ftoi Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP) të zhvillojnë bisedime koalicioni këtë javë.

1711770
Gjermani – Socialdemokratët ftojnë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë për bisedime koalicioni

Kryetari i grupit parlamentar të SPD-së, Rolf Mutzenich, shprehu të hënën gatishmërinë e partisë së tij për të zhvilluar bisedime koalicioni të shpejta dhe të bazuara në besim me Të Gjelbrit dhe FDP-në.

Rolf Mutzenich theksoi se u bënë ftesë dy forcave politike në fjalë që të zhvillojnë bisedime paraprake gjatë kësaj jave.

Duke bërë me dije se vijat e kuqe në bisedime nuk janë përcaktuar ende (momentalisht) për partinë e tij, Mutzenich tha se përparësi për socialdemokratët kanë çështjet e lidhura me pagën minimale për orë, problemet e strehimit dhe krizën klimatike.

“Sidoqoftë, ne s'do t'i zhvillojmë bisedimet e koalicioni në publik”, theksoi ai.

Mutzenich tha se SPD-ja është partia që ka siguruar mandatin për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve.

“(Lideri i Unionit Demokristian) Armin Laschet duhet të kuptojë që ai nuk e ka fituar dot besimin e popullit”, shtoi kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve.

Në bazë të rezultateve zyrtare të përkohshme të zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën më 26 shtator në Gjermani, SPD-ja u rendit e para me 25,7% dhe Unioni Kristian (CDU/CSU) i dyti me 24,1% të votave.

Kështu, SPD-ja do të ketë 206 deputetë në Bundestag, CDU/CSU-ja 196, Të Gjelbrit 118, FDP-ja 92, Alternativa për Gjermaninë (AfD) 83 dhe Partia e Majtë (Die Linke) 39 deputetë.



Lajme të ngjashme