Irak – Turkmenët dhe qeveria refuzojnë normalizimin me Izraelin

Turkmenët e Irakut reaguan kundër takimeve të disa përfaqësuesve fisnorë në qytetin e Erbilit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

1710550
Irak – Turkmenët dhe qeveria refuzojnë normalizimin me Izraelin

Fronti Turkmen Irakian (ITF) theksoi përmes një deklarate me shkrim se refuzon absolutisht takimet e disa përfaqësuesve fisnorë në Erbil për normalizimin me Izraelin.

Deklarata thekson se hapi i ndërmarrë ishte i rrezikshëm dhe se pjesëmarrësit në këto takime nuk pasqyrojnë pikëpamjet e të gjithë irakianëve.

Ajo nënvizoi gjithashtu mbështetjen e ITF-së për qëndrimin e qeverisë irakiane në lidhje me takimin dhe kërkoi fillimin e procedurave ligjore të nevojshme kundër atyre që ndërmorën këtë hap.

Bagdadi zyrtar njoftoi të shtunën se i refuzon plotësisht takimet në Erbil për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

“Qeveria irakiane refuzon absolutisht takimet e paligjshme të disa përfaqësuesve fisnorë në Erbil me pretekstin e normalizimit me Izraelin”, tha Zyra e Kryeministrit të Irakut në një komunikatë me shkrim.

Pasi thekson se pjesëmarrësit në takimet e lartpërmendura përfaqësojnë vetëm pikëpamjet e tyre dhe jo ato të popullit irakian, komunikata e qeverisë së Bagdadit shton se takimet në fjalë synojnë nxitjen e ndasive sektare para zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 10 tetor.

“Parashtrimi i idesë së normalizimit është gjithashtu i papranueshëm në aspektin ligjor, kushtetues dhe politik. Qeveria irakiane ka deklaruar edhe më parë qëndrimin historik dhe të pandryshueshëm të Irakut për luftën palestineze duke mbrojtur të drejtat e popullit palestinez, me Jerusalemin si kryeqytet të shtetit palestinez, dhe se sulmet sioniste duhet të ndalen përfundimisht”, thuhet në njoftim.

Të premten, një grup që dyshohet se i përkiste një fisi në Erbil, kërkoi që Iraku të vendoste marrëdhënie me Izraelin duke ndjekur shembullin e disa shteteve të tjera arabe.

Më 15 shtator 2020, Izraeli nënshkroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin.

Administrata e Hartumit gjithashtu vendosi të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin më 23 tetor 2020, në këmbim të heqjes së Sudanit nga lista e “vendeve sponsorizuese të terrorizmit” me një vendim të Presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Pas Sudanit, Maroku po ashtu arriti një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin më 10 dhjetor 2020.



Lajme të ngjashme