Gjermani – Fillojnë zgjedhjet e përgjithshme që përcaktojnë epokën postMerkel

Votuesit gjermanë do të japin sot pëlqimin e tyre për të zgjedhur anëtarët e rinj të Bundestagut.

1710526
Gjermani – Fillojnë zgjedhjet e përgjithshme që përcaktojnë epokën postMerkel

Me tërheqjen e Kancelares Angela Merkel nga skena politike, një epokë e re do të fillojë në Gjermani.

Në mesin e mbi 6 mijë kandidatëve për deputetë, 109 janë me origjinë turke. Teksa pritja për një koalicion paszgjedhor me 3 parti po fiton terren, negociatat pritet të zgjasin shumë gjithashtu.

Në 16 lande u ngritën 85 mijë kuti votimi dhe 650 mijë zyrtarë janë me detyrë për të siguruar që zgjedhjet të mbahen pa probleme, ndërkohë që 6 mijë e 211 kandidatë garojnë për t'u bërë pjesë e Bundestagut.

Votimi nisi në orën 08:00 sipas kohës lokale dhe do të përfundojë në 18:00.

Gjermania ka rreth 7 milionë e 400 mijë votues me prejardhje emigrante në total, përfshi këtu edhe ata me origjinë turke.

Plot 60 milionë e 400 mijë votues do të shkojnë në votime për të zgjedhur deputetët e tyre të legjislaturës së 20-të, pas gati 16 vitesh nën lidershipin e Kancelares Angela Merkel.

Në krye të sondazheve janë socialdemokratët e qendrës së majtë, SPD.

Kandidati i SPD-së për kancelar, Olaf Scholz, 63 vjeç, i cili ka punuar ngushtë me Merkelin si ministër i Financave gjatë 4 viteve të fundit, është kandidati kryesor për të marrë postin e saj në Kancelari.

Rivali i tij kryesor, 60-vjeçari Armin Laschet nga radhët e demokristianëve (CDU), humbi terren gjatë një fushate zgjedhore të zbehtë, por mbylli hendekun në sondazhe gjatë ditëve të fundit.

Marzhe të tilla të vogla do të jenë vendimtare në këto zgjedhje.

Të Gjelbrit, për herë të parë në historinë e tyre, paraqitën këtë vit një kandidate për postin drejtues të Kancelarisë, por popullariteti i ekonomistes Annalena Baerbock ka shënuar rënie të dukshme.

Merkel ka udhëhequr një bllok konservator, i cili përbëhet nga partia CDU dhe simotra bavareze Unioni Socialkristian (CSU), drejt fitores në 4 zgjedhjet e fundit duke përcaktuar kulturën politike të Gjermanisë për një brez të tërë.

Ajo është udhëheqësja e dytë më jetëgjatë në vend pas të famshmit Helmut Kohl.

Megjithatë Angela Merkel do të qëndrojë në post edhe pas zgjedhjeve në mënyrë komisare derisa të formohet qeveria e re dhe për këtë fazë nuk ka një kufizim kohor. Teorikisht ajo mund të jetë në krye të qeverisë gjermane deri për Krishtlindje. Në këtë mënyrë, pas 17 dhjetorit 2021, Merkel do të arrinte edhe rekordin e kohës në detyrë si kancelare duke tejkaluar edhe Helmut Kohlin. Ky rekord do të ishte 5 mijë e 869 ditë.



Lajme të ngjashme