Irani: Përparim thelbësor në bisedimet me Arabinë Saudite

Irani njoftoi të enjten se bisedimet për përmirësimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite vazhdojnë pozitivisht.

1709746
Irani: Përparim thelbësor në bisedimet me Arabinë Saudite

Gjatë një prononcimi për agjencinë zyrtare iraniane të lajmeve “IRNA”, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, deklaroi se muajt e fundit janë mbajtur kontakte më të rregullta ndërmjet administratave të Teheranit dhe Riadit.

Saeed Khatibzadeh tha se disa raunde bisedimesh u mbajtën me autoritetet saudite në kryeqytetin Bagdad të Irakut dhe se këto takime ishin frytdhënëse.

“Këto bisedime nuk janë ndalur kurrë. Mes dy vendeve u përcollën mesazhe reciproke të përshtatshme pasi erdhi në pushtet qeveria e z. Ebrahim Raisi”, saktësoi ai.

Khatibzadeh bëri me dije se bisedime produktive midis autoriteteve të dy vendeve po zhvillohen gjithashtu për çështjen e Gjirit Persik.

“Është arritur përparim shumë serioz në bisedimet mbi sigurinë e Gjirit Persik”, u shpreh zëdhënësi i MPJ iraniane.

Pasi vuri në pah se Arabia Saudite duhet ta kërkojë në rajon zgjidhjen për problemet rajonale, Khatibzadeh bëri këtë vlerësim: “Ne duhet të arrijmë një mekanizëm gjithëpërfshirës rajonal. Mund të kemi një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mirë ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite, dy vende të rëndësishme të rajonit.”

Më 2 janar 2016, kleriku shiit Nimr al-Nimr dhe 46 persona të tjerë u ekzekutuan në Arabinë Saudite nën akuzën për “terrorizëm”. Pas deklaratave të njëpasnjëshme të autoriteteve iraniane në shenjë reagimi ndaj ekzekutimeve, Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran dhe objektet e Konsullatës në Meshhed u dogjën nga demonstruesit. Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, të cilat edhe më parë ishin të tendosura për shkak të luftës civile që filloi në Jemen në mars 2015, u ndërprenë plotësisht.

Duke iu drejtuar të mërkurën Sesionit 76. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite deklaroi se ai shpresonte që bisedimet e para me Iranin për të ndërtuar besimin do të jepnin rezultate konkrete.



Lajme të ngjashme