Libi – Kryeministri Dbeibe reagon kundër votës së mosbesimit në Dhomën e Përfaqësuesve

Kryeministri i Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë (GNU), Abdul Hamid Dbeibe, reagoi ndaj vendimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të tërhequr votëbesimin nga qeveria.

1709087
Libi – Kryeministri Dbeibe reagon kundër votës së mosbesimit në Dhomën e Përfaqësuesve

Abdul Hamid Dbeibe iu drejtua turmës që manifestoi në Sheshin e Dëshmorëve të kryeqytetit Tripoli për të protestuar vendimin e “votëbesimit” të Dhomës së Përfaqësuesve, organ legjislativ që drejtohet nga juristi Aguila Saleh Issa, aleat politik i gjeneralit puçist, Khalifa Haftar, udhëheqës i forcave ilegale në lindje të vendit.

“Legjitimiteti është i juaji dhe jeni ju që do të vendosni, jo ata që na pengojnë. Ata që na pengojnë duan vetëm të keqen, luftën dhe shkatërrimin për këtë vend. Jo luftës, jo ndarjes, po zgjedhjeve. Qëllimi ynë është të dëbojmë fantazmën e luftës përgjithmonë. Ne jemi fuqimisht me unitetin dhe integritetin e vendit”, deklaroi Dbeibe duke kritikuar vendimin e marrë nga Dhoma e Përfaqësuesve pas një votimi të diskutueshëm.

Duke theksuar se vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve nuk përfaqëson të gjithë anëtarët e saj, kryeministri libian vuri në pah se nuk është e mundur të diskreditohet e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve, sepse ajo ka anëtarë shumë të nderuar në mesin e saj.

“Unë i përgëzoj ata për mbajtjen e një qëndrimi kombëtar. Sot (të martën) ata po largohen nga Tobruku dhe po vijnë në Tripoli”, shtoi Kryeministri Dbeibe.

Dhoma e Përfaqësuesve, me seli në qytetin lindor Tobruk të Libisë, deklaroi pas seancës së saj të martën se tërhoqi votën e besimit nga Qeveria e Unitetit Kombëtar me shumicën e votave.

Shumë zyrtarë libianë, institucione, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, veçanërisht Këshilli i Lartë i Shtetit, deklaruan se votimi i mocionit të mosbesimit në Dhomën e Përfaqësuesve ishte e paligjshme.

Pas vendimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të tërhequr votëbesimin nga qeveria, Këshilli i Lartë i Shtetit tha se kjo lëvizje ishte “e pavlefshme”, sepse procedurat e saj shkelnin Deklaratën Kushtetuese dhe Marrëveshjen Politike Libiane, nënshkruar më 17 dhjetor 2015 në qytetin Skhirat të Marokut (Skhirat Agreement).

Dhomës së Përfaqësuesve i nevojitet gjithashtu miratimi i Këshillit të Lartë të Shtetit, një tjetër organ legjislativ në Libi, për të diskutuar dhe votuar tërheqjen e votëbesimit nga qeveria.

Për më tepër, votimi në Dhomën e Përfaqësuesve konsiderohet si një hap në kundërshtim me udhërrëfyesin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për një zgjidhje politike në Libi dhe Marrëveshjen Politike Libiane.

Tensioni është rritur dukshëm ndërmjet Dhomës së Përfaqësuesve, Këshillit të Lartë të Shtetit dhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar në lidhje me kompetencat dhe kodin zgjedhor.

Lëvizja e së martës nga Dhoma e Përfaqësuesve kërcënon planet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 24 dhjetor.

Ndërkohë, gjenerali puçist, Khalifa Haftar, vepron ende veçmas Qeverisë së Unitetit Kombëtar dhe pretendon të jetë “komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare Libiane” duke vazhduar fërkimet me Këshillin Presidencial për kompetencat.



Lajme të ngjashme