Strasburg – GJEDNJ: Rusia përgjegjëse për vrasjen e ish-agjentit Alexander Litvinenko

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) arriti në përfundimin se ish-spiuni rus, Alexander Litvinenko, i strehuar në Britaninë e Madhe, u vra me helm nga agjentët rusë.

1708709
Strasburg – GJEDNJ: Rusia përgjegjëse për vrasjen e ish-agjentit Alexander Litvinenko

GJEDNJ-ja shpalli të martën vendimin e saj në lidhje me çështjen e ngritur nga bashkëshortja e Litvinenkos për vrasjen e tij në Londër, kryeqytet i Britanisë së Madhe, në vitin 2006.

Ajo theksoi se orkestrimi i vrasjes së Litvinenkos nga agjentët rusë Andrey Lugovoy dhe Dmitry Kovtun ishte “një realitet i pakundërshtueshëm”.

“Gjykata konstatoi veçanërisht se kishte një indikacion të fortë që në helmimin e Litvinenkos, kriminelët Lugovoy dhe Kovtun kishin vepruar si agjentë të shtetit rus, pasi ata nuk kishin mjete për të siguruar vetë substancën helmuese”, theksoi GJEDNJ-ja duke iu referuar emrave të dy agjentëve rusë që akuzohen për vrasjen e ish-spiunit.

GJEDNJ-ja vuri në pah gjithashtu se “autoritetet ruse nuk kryen një hetim të brendshëm efektiv në gjendje të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit e vrasjes”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, reagoi menjëherë duke thënë se vendimi i gjykatës me seli në Strasburg të Francës ishte “i pabazë”.

Duke vlerësuar zhvillimin në fjalë përpara gazetarëve në kryeqytetin Moskë të Rusisë, Dmitry Peskov argumentoi se GJEDNJ-ja nuk ka njohuri për këtë çështje.

“Ne mendojmë që GJEDNJ-ja nuk ka juridiksion apo ndonjë mjet teknik për t'u informuar mbi këtë çështje. Ky hetim nuk ka dhënë ndonjë rezultat deri më tani. Andaj pretendime të këtilla janë të pabaza”, u shpreh ai.

Peskov theksoi gjithashtu se autoritetet ruse nuk duan t'i marrin në konsideratë të tilla vendime.

Alexander Litvinenko, një ish-agjent i KGB-së që punonte për llogari të inteligjencës britanike (MI6), vdiq në vitin 2006 në moshën 43-vjeçare pasi u helmua me substancën radioaktive “Polonium-210”, e cila u gjet e përzierë në çajin e tij në një hotel të Londrës. Hetimet zbuluan se Litvinenko ishte takuar me agjentët Lugoyov e Kovtun 3 herë para vdekjes së tij dhe se gjurmët e substancës helmuese ishin gjetur jo vetëm në dhomën e hotelit ku qëndruan këta dy persona, por edhe në vendet ku ata kishin shkuar.



Lajme të ngjashme