Gjermani - Kandidati i bllokut CDU/CSU zotohet të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë

Kandidati për kancelar i bllokut konservator CDU/CSU, Armin Laschet ka premtuar se do të punojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë nëse partia e tij fiton zgjedhjet parlamentare të dielën (26 shtator).

1708621
Gjermani - Kandidati i bllokut CDU/CSU zotohet të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë

"Unë e di se sa e rëndësishme është Turqia për ne, si një anëtar i NATO-s, si një vend i lidhur ngushtë me Evropën, me shumë [fusha] bashkëpunimi," tha Laschet të hënën në një intervistë ekskluzive për agjencinë turke të lajmeve “Anadolli” (Anadolu Agency-AA).

"Dhe si një mik i Turqisë, unë shpresoj se me kancelarinë time, marrëdhëniet do të përmirësohen përsëri. Ne duhet të punojmë për këtë," theksoi ai.

Politikani 60-vjeçar me përvojë, i cili është drejtuesi i Bashkimit Demokristian (CDU), ka shpresë se blloku konservator do të fitojë zgjedhjet dhe ai do të pasojë Angela Merkelin si kancelare.

Laschet vlerësoi kontributet e komunitetit turk të Gjermanisë në vend dhe tha se brezi i parë i emigrantëve turq punoi shumë në rindërtimin e ekonomisë dhe shumë nga brezat e dytë dhe të tretë janë integruar me sukses në shoqëri.

"Një nga qëllimet e mia do të ishte të siguroja që shoqëria gjermane të njohë këtë potencial të madh," tha ai, dhe premtoi se do të ndërmarrë hapa për të çrrënjosur të gjitha format e diskriminimit dhe për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit me prejardhje emigrante.

Laschet tha se nëse partia e tij fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë e re, rritja ekonomike, digjitalizimi dhe ndryshimi i klimës do të ishin përparësitë e tyre kryesore.

"Gjëja më e rëndësishme është që ne duhet të përqendrohemi në rritjen ekonomike përsëri pas pandemisë [koronavirus]," tha ai, duke shtuar se ata do të zbatojnë programe të reja për të modernizuar vendin, për të arritur qëllimet mbi digjitalizimin, transmetimin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Ai premtoi gjithashtu një politikë të jashtme aktive, duke theksuar se Gjermania do të vazhdojë të veprojë në një mënyrë të përgjegjshme.

"Ne do të vazhdojmë të japim kontributet tona për botën. Ne kemi qenë dëshmitarë të një katastrofe në Afganistan. Do të mbetet e rëndësishme për ne që të japim kontributet tona për stabilitetin në botë",- tha ai.

Votuesit gjermanë do të zgjedhin një parlament të ri më 26 shtator dhe rezultati do të përcaktojë se kush do të pasojë Merkelin si kancelare, pasi ajo nuk do të kandidojë për një mandat tjetër.

Ndërsa Social Demokratët po udhëheqin në sondazhet më të fundit, Laschet është ende optimist se blloku i tij konservator CDU/CSU do të fitojë zgjedhjet, pasi sondazhet tregojnë se shumë votues janë ende të pavendosur pak ditë para votimeve.



Lajme të ngjashme