Fushatë palestineze kundër praktikës së “paraburgimit administrativ” në burgjet izraelite

Palestina filloi një fushatë për t'i dhënë fund praktikës izraelite të “paraburgimit administrativ”.

1687907
Fushatë palestineze kundër praktikës së “paraburgimit administrativ” në burgjet izraelite

Grupet palestineze mbajtën dy konferenca shtypi të njëkohshme para zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Ramallah dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Gazë, ku njoftuan startin e fushatës së tyre kundër praktikës izraelite të “paraburgimit administrativ”.

Në këto dy konferenca shtypi morën pjesë Delegacioni i të Burgosurve dhe të Liruarve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komiteti i të Burgosurve të Forcave Islame dhe Kombëtare, i cili përfshin shumicën e grupeve të rezistencës palestineze.

Duke folur në emër të pjesëmarrësve në konferencën për shtyp të mbajtur në Ramallah, Presidenti i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Qadura Fares, theksoi se praktika izraelite e “paraburgimit administrativ” duhet të marrë fund dhe reagoi duke thënë se institucionet ndërkombëtare nuk shkuan përtej kritikës ndaj kësaj situate.

Pasi vuri në pah se Izraeli e sheh heshtjen e institucioneve ndërkombëtare si “një dritë jeshile për të vazhduar praktikat e tij”, Fares u bëri thirrje këtyre institucioneve që të ushtrojnë presion serioz mbi Izraelin.

Kurse në konferencën për shtyp të mbajtur në Gazë, Khaled al-Batash, ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes së Xhihadit Islam, mbajti një fjalim në emër të institucioneve islame.

Duke e përshkruar paraburgimin administrativ si “një padrejtësi të përhershme që cenon dinjitetin e palestinezëve në Bregun Perëndimor, Jerusalem dhe Gazë”, Al-Batash deklaroi se kjo fushatë u nis për të mbështetur të burgosurit dhe të gjithë ata që preken nga kjo politikë e paraburgimit administrativ.

Ai potencoi nevojën e njëzëshmërisë për t'i dhënë fund politikës së Izraelit dhe i bëri thirrje popullit palestinez që të veprojë në mënyrë aktive kundër politikës së paraburgimit administrativ.

Khaled al-Batash gjithashtu ftoi organizatat lokale dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të bëjnë presion mbi Izraelin për t'i dhënë fund kësaj politike.

Me atë që e quan “paraburgim administrativ”, Izraeli mund t’i ndalojë palestinezët nga 1 deri në 6 muaj duke u bazuar vetëm në raportet e inteligjencës.

Nëse vendoset se i ndaluari “është një rrezik për sigurinë e Izraelit”, gjyqtari ushtarak mund ta zgjasë periudhën e paraburgimit deri në 5 vjet pa paraqitur asnjë aktakuzë për ndonjë vepër penale.

Sipas burimeve palestineze, në burgjet izraelite mbahen aktualisht rreth 4 mijë e 500 palestinezë, 365 prej të cilëve janë “të paraburgosur administrativë”.



Lajme të ngjashme