BE: Siria jugperëndimore përjeton dhunën më vdekjeprurëse që nga 2018

Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve në provincën Dera, të cilën forcat e regjimit të Beshar Esadit e kanë sulmuar për një javë, dhe për respektimin e udhërrëfyesit për një zgjidhje politike.

1686069
BE: Siria jugperëndimore përjeton dhunën më vdekjeprurëse që nga 2018

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell, thuhet se Siria jugperëndimore ka përjetuar "dhunën më të keqe dhe më vdekjeprurëse që nga viti 2018".

"Ekziston një rrezik serioz përshkallëzimi në Dera dhe më gjerë",- vlerëson komunikata dhe pasi risjell në vëmendje se dhjetëra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë masakruar dhe 10.000 njerëz janë zhvendosur për shkak të bombardimeve të rënda, thekson se Spitali Shtetëror i Deras, i cili u shërben 50.000 njerëzve, është goditur me predha mortajash.

Deklarata bën apel për qasje të papenguar, të sigurt dhe të qëndrueshme humanitare për njerëzit e Deras.

"Bashkimi Evropian i bashkohet thirrjes së të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir O. Pedersen, për të gjitha palët në Siri që të respektojnë parimin e mbrojtjes së civilëve dhe ligjin ndërkombëtar humanitar, dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e tensioneve dhe të rivendosin qetësinë”,- thuhet më tej në komunikatë.

“Këto sulme treguan edhe një herë nevojën për përshpejtimin e përpjekjeve për të arritur një zgjidhje paqësore politike. Vetëm një proces politik që respekton lirinë dhe dinjitetin e të gjithë popullit sirian mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”,- përfundon komunikata e lëshuar nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell.

 


Lajme të ngjashme