Liban – Përkujtohen viktimat e shpërthimit në portin e Bejrutit

Në Liban u mbajt ceremoni përkujtimore për personat që humbën jetën një vit më parë si pasojë e shpërthimit të 2.750 tonë të nitratit të amonit në portin e Bejrutit.

1685674
Liban – Përkujtohen viktimat e shpërthimit në portin e Bejrutit

Me rastin e njëvjetorit të shpërthimit të tmerrshëm të 4 gushtit 2020, Forcat e Sigurisë së Brendshme të Libanit marshuan nga Sheshi i Dëshmorëve në Bejrut drejt vendit ku ndodhi shpërthimi në port.

Gjatë ceremonisë së mbajtur nën shoqërinë e bandës frymore, Forcat e Sigurisë së Brendshme, të cilat u pritën me trëndafila në portin e Bejrutit pas marshimit që zgjati rreth 15 minuta, vendosën 214 trëndafila në përmendoren e ndërtuar në port për nder të viktimave të shpërthimit të një viti më parë.

Me rastin e përvjetorit të parë të shpërthimit, në orët e para të mëngjesit në port u mblodhën diplomatë të huaj, të cilët bënë homazhe dhe mbajtën një minutë heshtje.

Prej disa ditësh, në rrjetet sociale janë bërë thirrje për të zhvilluar protesta dhe marshime të njëkohshme në zona të ndryshme të Bejrutit me rastin e përvjetorit të parë të shpërthimit që krijoi efekt tërmeti në kryeqytet, duke prekur direkt ose indirekt një milion njerëz.

Me evokimin e viktimave të shpërthimit dhe përfundimin e hetimit të kryer për autorët, në protestat që do të mbahen me kërkesën e vendosjes së drejtësisë, do të shprehen reagimet ndaj drejtuesve që janë akuzuar për korrupsion dhe neglizhencë.

Çfarë ndodhi një vit më parë në kryeqytetin e Libanit?

Më 4 gusht 2020, në portin e Bejrutit fillimisht shpërtheu një zjarr në një depo lëndësh plasëse, ndërsa më pas një shpërthim shumë i fuqishëm tronditi tërë qytetin.

Presidenti libanez, Michel Aoun, deklaroi se shpërthimi u shkaktua nga 2.750 tonë nitrat amoni që depozitohej në portin e Bejrutit prej 6 vitesh.

Shpërthimi u mori jetën mbi 200 personave, la të plagosur 6.000 të tjerë - prej të cilëve 1.000 mbetën me aftësi të kufizuara, si dhe detyroi rreth 300.000 njerëz që të zhvendosen. / AA



Lajme të ngjashme