Etiopi – 7 shtete arabe refuzojnë pranimin e Izraelit si anëtar vëzhgues në Unionin Afrikan

Egjipti, Algjeria, Komoret, Tunizia, Xhibuti, Mauritania dhe Libia kundërshtuan vendimin për të pranuar Izraelin si një anëtar vëzhgues në Unionin Afrikan.

1685648
Etiopi – 7 shtete arabe refuzojnë pranimin e Izraelit si anëtar vëzhgues në Unionin Afrikan

Shtatë vende arabe njoftuan të martën Unionin Afrikan (UA) mbi kundërshtinë e tyre për t'i dhënë Izraelit statusin e vëzhguesit në bllok.

Ambasadori izraelit në Adis-Abebë, Aleli Admasu, i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Komisionit të UA-së, Moussa Faki, më datë 22 korrik dhe po atë ditë Izraelit iu dha statusi i vëzhguesit në trupin kontinental afrikan.

Disa media arabe, përfshi këtu edhe gazetën egjiptiane “Al-Masry al-Youm”, thanë se ambasadat e Algjerisë, Egjiptit, Komoreve, Tunizisë, Xhibutit, Mauritanisë dhe Libisë në Etiopi i dhanë një notë verbale Presidentit Faki, selia e të cilit është në kryeqytetin Adis-Abebë të Etiopisë.

Nota përfshin refuzimin e dhënies së statusit të anëtarit vëzhgues Izraelit duke e cilësuar vendimin si hap që bie në kontradiktë me mbështetjen e Unionit Afrikan për kauzën palestineze dhe parimet e tij.

Dokumenti kërkon që çështja të diskutohet në takimin e nivelit të ministrave të jashtëm të UA-së në tetor.

Gazeta egjiptiane shtoi se ambasadat e Jordanisë, Kuvajtit, Katarit, Jemenit dhe misioni i Ligës Arabe në Adis-Ababë gjithashtu shprehën solidaritet me vendet arabe për këtë çështje.

Algjeria tha më 25 korrik se vendimi u mor pa konsultime.

Izraeli ka vendosur marrëdhënie me 6 nga gjithsej 22 vendet arabe duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin, Sudanin dhe Marokun.

Marrëdhëniet ndërmjet kombeve afrikane dhe Izraelit u përkeqësuan në vitet 1960 ndërsa Tel-Avivi u zgjerua dhe pushtoi territoret palestineze në vitin 1967, përfshi këtu Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gazën, krahas Lartësive të Golanit në Siri gadishullit të Sinait në Egjipt, por ky i fundit e rimori Sinain pas një pakti me Izraelin në vitin 1979.



Lajme të ngjashme